Sot është shkarkuar nga detyra drejtori i AKU-së Bledar Skënderi, dhe në vend të tij është emëruar Jeta Deda. Vendimi është firmosur nga zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, teksa njoftohet se ka hyrë në fuqi menjëherë.
Bledar Skënderi u emërua në këtë post në tetor të vitit të kaluar. Më herët ai ka qenë zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t dhe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kontrolli i Lartë i Shtetit paditi Skënderin për “shpërdorim detyre” në SPAK. Padia erdhi pas alarmit të ngritur nga Bashkimi Europian për disa lloje akulloresh që kishin përbërës të rrezikshëm për shëndetin, dhe që nuk ishin hequr nga përdorimi. Kontrolli i Lartë i Shtetit paditi në Prokurorinë e Tiranës drejtorin e Përgjithshëm të AKU, Bledar Skënderi. KLSH thotë se ka ushtruar kontroll në këtë institucion, dhe ka dalë në përfundiminin se nuk është reaguar si duhet ndaj situatës së krijuar me alarmin e ngritur nga Bashkimi Europian për sasi ‘oksid etileni’ në disa akullore.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke marrë shkas nga problematika e trajtuar në disa media, për t’iu përgjigjur ndjeshmërisë së publikut dhe informimit të tij për çështjet që lidhen me garantimin e sigurisë ushqimore, ushtroi jashtë programit vjetor të miratuar, auditimin tematik në Drejtorinë e Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me objekt: ”Mbi procedurën e ndjekur nga DPAKU nga marrja e njoftimit nëpërmjet sistemit RASFF (sistemi i njoftimit të shpejtë për ushqimin e popullatës dhe ushqimin për kafshë) për përdorimin e paautorizuar të substancës “oksid etileni” në prodhimin e produktit ”Akullore” (importuar dhe tregtuar në tregun shqiptar), deri në inspektimin, bllokimin, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e saj”.
Nga auditimi i ushtruar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të cilat janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e institucionit të drejtuar prej tij. Për mosveprimet e Drejtorit të DPAKU, KLSH ka depozituar kallëzimin penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e KLSH.
Vendimi i plotë
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AUTORITETIT KOMBËTAR TË USHQIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 65, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Z. Bledar Skënderi, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, lirohet nga kjo detyrë.
- Znj. Jeta Deda emërohet drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
V E N D I M PËR CAKTIMIN E DISA ANËTARËVE TË BORDIT TË AUTORITETIT KOMBËTAR TË USHQIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 64, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Caktimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, sipas shkronjave “dh”, “ë”, “f” dhe “g”, të pikës 2, të nenit 64, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, si më poshtë vijon:
- a) Znj. Alma Çupi, person publik nga fusha e medias;
- b) Përfaqësues shkencorë të fushave të ushqimit, ushqimit për kafshë, veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve:
- Znj. Erinda Lika, prof. asoc., pedagog në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare;
ii. Z. Kapllan Sula, prof. dr., pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit;
iii. Znj. Anila Kopali, prof. dr., pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit;
iv. Z. Seit Shallari, prof. dr., pedagog në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit;
v. Z. Shpend Shahini, prof. dr., pedagog në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit. - c) Znj. Ersida Teliti, përfaqësues i shoqatave të konsumatorëve;
ç) Z. Valentina Postoli, përfaqësues i shoqatave së agrobiznesit.
Vendimi nr.128, datë 11.2.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e disa anëtarëve të bordit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.