Ekonomi

Shkarkimi i Malajt/Eksperti i ekonomisë zbardh skemën

               Publikuar në : 22:07 - 18/07/19 M. S

Gazetari ekonomik, Klodian Tomorri, me anë të një statusi që e ka ndarë me ndjekësit në Facebook, ka analizuar arsyet përse PS kërkon të shkarkojë Arben Malajn nga posti i anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Sipas tij, qëllimi i vërtetë është shndërrimi i Bankës së Shqipërisë në një institucion vasal të qeverisë, me një bord memec, që hesht përballë problemeve të rënda që ka ekonomia sot.

Ai shton më tej se nisma e 28 deputetëve socialistë për të shkarkuar Arben Malajn, është atentati i radhës që mazhoranca i bën shtetit ligjor dhe institucioneve kushtetuese.

“Justifikimi i saj si një iniciativë që synon të mbrojë pavarësinë dhe imazhin e Bankës Qëndrore, është një akt i pastër hipokrizie”, citon më tej ai.

Tomorri shkruan me ironi se nëse meraku i qeverisë do ishte me të vërtetë pavarësia dhe kredibiliteti i Bankës Qëndrore, atëherë ajo duhet të ishte shqetësuar kohë më parë.

Statusi

Pse Rilindja e do Bankën e Shqipërisë vasale?

Në vitin 2016, kur Britania e Madhe ishte përfshirë nga fushata e ethshme e referendumit për të qëndruar ose jo në Bashkimin Europian, një nga zërat më të fuqishëm kundër Brexit ishte Mark Carney. Përmes disa daljeve të njëpasnjëshme publike, guvernatori kanadez i Bankës Qendrore të Anglisë, u shndërrua ndoshta në figurën e dytë më të rëndësishme, pas ish kryeministrit David Cameron, brenda kampit të atyre që po përpiqeshin ta mbanin Britaninë në Bashkimin Europian.

Fushata e referendumit Britanik ishte qartazi një betejë politike. Përfshirja e Guvernatorit të Bankës Qëndrore, por edhe antarëve të Këshillit Mbikqyrës në këtë fushatë nuk kaloi pa debate mes palëve. Mark Carney dhe të tjerë u sulmuan fuqishëm nga kampi i Brexitarsve. Por as Nigel Farage dhe as Boris Johnson nuk e çuan nëpër mend të kërkonin shkarkimin e antarëve të Bankës Qëndrore që kishin bërë fushatë pro qëndrimit në BE.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Neel Kashkari, presidenti simpatik i Rezervës Federale të Minneapolisit është sot një nga zërat më të spikatur të debatit publik mbi politikat ekonomike. Përmes një editoriali para pak muajsh në Wall Street Journal, Kashkari sulmoi ashpër politikën e Presidentit Trump për të kufizuar emigrantët ne SHBA. (https://www.minneapolisfed.org/…/ësj-op-ed-immigration-is-p…).

Sipas tij, programi i Trump për të mbyllur kufijtë e Shteteve të Bashkuara për emigrantët ishte një thikë në zemër për ekonominë amerikane, e cila do të dëmtonte rritjen ekonomike dhe prespektivën e rritjes së mirëqënies në plan afatgjatë. Emigracioni është një nga cështjet më të mprehta të betejes politike sot në SHBA.

Bota e zhvilluar është e mbushur plot me raste kur antarët e bordeve drejtuese të Bankave Qëndrore marrin pjesë publikisht në debatet për ekonominë dhe ato politike. Madje vec opinioneve për politikat publike, shumica e bankave qëndrore i inkurajojnë antarët e bordeve të tyre të shprehin lirshëm edhe pikëpamjet politike, brenda kapacitetit të tyre individual. (https://www.federalreserve.gov/…/directors/PDF/political-ac…)
Bankierët qendrorë janë elita e ngushtë inteligjente e një vendi. Përfshirja e tyre në debatet publike nuk është barrë, por kontribut për shoqërinë. Të vetmit që mendojnë ndryshe janë rilindasit.

Nisma e 28 deputetëve socialistë për të shkarkuar Arben Malajn nga Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, përvecse një precedent të rrezikshëm, është atentati i radhës që maxhoranca i bën shtetit ligjor dhe institucioneve kushtetuese. Justifikimi i saj si një iniciativë që synon të mbrojë pavarësinë dhe imazhin e Bankës Qëndrore, është një akt i pastër hipokrizie.

Nëse meraku i qeverisë do ishte me të vërtetë pavarësia dhe kredibiliteti i Bankës Qëndrore, atëherë ajo duhet të ishte shqetësuar kohë më parë. Atëherë kur vendosi ta lërë Bankën e Shqipërisë me guvernator pa mandat të qartë kushtetues apo kur nisi të plotësonte radhët e bordit përmes ndërhyrjeve politike.

Është e qartë si kristali se qëllimi i shkarkimit të Malajt nuk është mbrojtja e imazhit të Bankës së Shqipërisë, por shndërrimi i saj në një institucion vasal të qeverisë me një bord memec, i cili hesht përballë problemeve të rënda që ka ekonomia sot, por mbi të gjitha përballë asaj që po ndodh në sistemin financiar, ku bankat europiane po zvëendësohen me liccenca të dyshimta vendase dhe offshore. Në të kundërt, do na duhej të besonim se 28 petritat e Rilindjes janë më katolikë edhe se vetë Papa.

 

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT