E mërkurë, 27 Janar, 2021
2 C
Tirana

Shiti meteoritin që i goditi shtëpinë, por jeta i është kthyer në një makth

Pasi një meteorit u përplas mbi çatinë e shtëpisë së tij, dhe mediat tabloide raportuan se trupi qiellor u shit për një shumë marramendëse 1.8 milionë dollarë, një prodhues arkivolesh nga një fshat i largët, u bë për pak kohë njeriu më i famshëm në Indonezi.

Por Josua Hutagalung, një 34-vjeçar i ndrojtur nga provinca e Sumatrës së Veriut, i kalon tani ditët e tij duke refuzuar njëra pas tjetrës kërkesat për intervista, duke u shqetësuar për taksat e mundshme që mund t`i kërkohet të paguajë, apo kriminelët e mundshëm që nuk e kuptojnë se ai nuk është në fakt një milioner.

“Kam frikë se mund të më rrëmbejnë fëmijën, pasi ata mendojnë se unë jam tashmë i pasur, dhe do të kërkojnë shpërblim. Por ju mund ta shihni nga afër se si po jetoj, thjesht  zakonshëm si më parë, asgjë nuk është ndryshe”-tha ai për “VICE World News” pasi ra dakord për një intervistë të rrallë vetjake, në shtëpinë e tij modeste.

Josua thotë se po të kishte vërtet aq shumë para, do të punësonte të paktën 5 roje sigurie për mbrojtje. Gjithçka nisi më datën 1 gusht në orën 5 të pasdites, kur një meteorit me madhësinë e një shalqini të madh u përplas në anë të shtëpisë së tij, në një fshat të nën-distriktit  Kolang në Sumatrën Veriore.

Ai ra me aq shumë forcë, saqë u zhyt rreth 20 cm në tokë, dhe kur ai e mori në duar ishte akoma i ngrohtë. Ai filmoi objektin e zi me telefonin e tij, dhe e postoi videon në rrjetet sociale. Video u bë shpejt virale. Gazetarët e zonës shkuan në shtëpinë e tij,duke i ofruar para për të blerë sendin e veçantë.

Një javë më vonë, Xhared Kollins, një ndërmjetës amerikan për blerësit në Shtetet e Bashkuara, e kontaktoi Josuan dhe i bëri një ofertë të re. Pasi komunikoi me kolegët e tij, Kollins udhëtoi nga shtëpia e tij në Bali, për në shtëpinë e Josuas.

Ata ranë dakord për pazarin dhe meteori u dërgua në SHBA, ku u verifikua si origjinal, duke marrë emrin e zonës ku u gjet “Kolang”, dhe fotoja e tij u publikua në faqen e internetit të Shoqërisë së Meteoriteve.

Problemet lindën kur mediat tabloide britanike, shkruan se çmimi i shitjes ishte rreth 1.8 milion dollarë, duke e kthyer Josuan në një milioner “sa hap e mbyll sytë”. Llogaritja e shumës u bë duke shumëzuar peshën e objektit dhe vlerën e tij, të krahasuar me copa të tjera meteoriti që kishin rënë në të njëjtën zonë.

Edhe pse meteorët përbëjnë një dritare magjepsëse drejt përbërjes dhe historisë së Universit, vlera e tyre aktuale mund të luhatet shumë. Josua deklaroi në fillim për korrespondentin e BBC në Indonezi, se ai e shiti meteorin për pak më shumë se 14.000 dollarë, plus një kosto shtesë për riparimin e çatisë së tij të dëmtuar.

Nga ana tjetër, Kollins nuk e zbuloi shumën e transaksionit, por gjithsesi hodhi poshtë shifrat e raportuara nga Josua, duke shkaktuar pa dashje edhe më shumë kuriozitet mbi çmimin real të shitjes së meteoritit.

Lorenc Garvi, ekspert i meteoriteve nga Universiteti Shtetëror i Arizonës në SHBA që certifikoi meteoritin e Kolangut, i tha BBC-së në një intervistë të mëvonshme, se trupi qiellor u shkatërrua me hyrjen në atmosferën e tokës, dhe pjesët e tjera do të kenë rënë diku tjetër.

Duke e përshkruar atë si një “baltë ekstra-tokësore” e bërë kryesisht prej argjile me përzierje hekuri, kalciumi, magnezi, alumini dhe oksigjeni, Garvie tha se mund të vlente 2 dollarë. Por historia ishte zmadhuar aq shumë, saqë pak njerëz i besuan fjalëve të Josuas.

Miqtë e tij vazhdojnë t`a pyesin “Pse vazhdon të punosh, kur ke fituar aq shumë para nga guri qiellor?” Por a do t`a zbulonte më në fund çmimin real të meteorit?Jo tamam. Ai tha se shuma që fitoi ishte e mjaftueshme për të rikonstruktuar kuzhinën e shtëpisë së prindërve të tij, për të zëvendësuar çatinë që u dëmtua pasi u godit nga meteori, si dhe për të bërë disa bamirësi për një kishë lokale dhe fqinjët e tij.

“Nëse do të kisha shumë para, ndoshta do të ndërtoja një kishë, xhami ose ndoshta do të kandidoja për kryetar bashkie”- thotë ai. Në çdo rast, ai beson se ka të drejtë të ruajë sekretin mbi vlerën reale të shitjes së meteorit.

Burimi i lajmit: https://www.vice.com/en/article/4adnep/he-sold-a-meteorite-that-hit-his-home-in-indonesia

Përshtatur nga TIRANA TODAY

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Video/ Tension dhe përmbysje, Interi eliminon Milanin në minutën e 97-të

Interi triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj Milanit, në derbin e vlefshëm për çerekfinalen e Kupës së Italisë, ku nuk mundoi as tensioni. Ibrahimoviç dhe Lukaku...

Skënder Brataj tregon numrin e personelit mjekësor të vaksinuar

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka bërë me dije shifrat e personelit mjekësor që është injektuar me vaksinën anti-covid deri më tani në...

Shkel rregullat e rrjetit social, Twitter i mbyll llogarinë Genc Pollos

Platfotma Twitter i ka mbyllur llogarinë ish-deputetit të PD, Genc Pollo, për shkak se ky i fundit ka shkelur rregullat e rrjetit social. Lajmin e...

Haradinaj mesazh Serbisë: Do forcojmë policinë dhe ushtrinë e Kosovës

Kandidati për President në Kosovë, Ramush Haradinaj ka përcjellë një tjetër për fqinjët, Serbinë. Haradinaj u shpreh se Kosova nuk do e mbajë më kokën...

Kur lali Eri gjobit Ndrangheta-n

Nga: Dritan Hila Sapo kapën implikimin e tre personave italianë që bënin kështjella në rërë për biznese në Tiranë dhe ku përmendej edhe mafia kalabreze,...