Armët britanike janë përdorur për të kryer krime lufte. Kështu rezulton sipas një artikulli të botuar nga The Independent, ku shkruhet se numri i bombave dhe raketave britanike të shitura në Arabinë Saudite që nga fillimi i fushatës së saj të përgjakshme në Jemen, është rritur me gati 500%.
Gjatë dy viteve të para të bombardimeve janë shitur armë me vlerë më të madhe se 4.6 miliardë paund, ndërsa qeveria dhe një numër në rritje të lejeve të eksportit, pavarësisht dëshmive në rritje të krimeve të luftës dhe masakrave në spitale, shkolla dhe dasma.
Kombet e Bashkuara thonë se sulmet ajrore nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite janë shkaku kryesor i pothuajse 5,295 vdekjeve civile dhe 8,873 viktima të konfirmuara deri më tani, duke paralajmëruar se shifra e vërtetë “ka gjasa të jetë shumë më e lartë”.
Po ashtu, ekziston një shqetësim mbi përpjekjen e Mbretërisë së Bashkuar për të mbyllur të gjitha portet ajrore, tokësore dhe detare në Jemen, gjë që thuhet se do ndodhte në mënyrë që të ndalonte rrjedhjen e armëve, por gjithashtu do të ndalojë importet e ndihmave.
Bombat britanike janë gjetur në vendin e bombardimeve që konsiderohen se shkelin të drejtën ndërkombëtare, por Britania e Madhe ka vazhduar mbështetjen e saj politike dhe materiale për fushatën e Rijadit.
Shifrat nga Departamenti i Tregtisë Ndërkombëtare tregojnë se në dy vitet e luftës në Jemen, u miratuan 33 milionë paund të licencave ML4 për bomba dhe raketa.
Por, sipas Fushatës Kundër Tregtisë së Armëve, në dy vitet pasuese që kur Arabia Saudite filloi bombardimet në mars të 2015-ës, shifrat u rritën me 457%, duke kapur vlerën e 1.9 miliardë paund.
Tom Barns, bashkëdrejtuesi i Fushatës Kundër Tregtisë së Armëve tha se qeveria ka përshpejtuar shitjet e pajisjeve që përdoren për të kryer krime në Jemen, ndërsa ritmi i goditjeve ajrore të udhëhequra nga Arabia Saudite vijon të rritet.
“Gjatë këtij viti gjendja në Jemen po bëhet gjithnjë e më e keqe”, shtoi ai.
“Në një kohë kur Britania e Madhe duhet të fokusohet më shumë në atë që po shitet, ata po japin gjithnjë e më shumë nga këto licenca”,thotë Barns.
Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë i ka cilësuar si të ligjshme eksportet e armëve në Arabinë Saudite, pasi sipas saj, dëshmitë e disponueshme nuk tregojnë “një rrezik të qartë se armët mund të përdoren në kryerjen e një shkeljeje serioze të së drejtës humanitare ndërkombëtare”.
Megjithatë, Fushata Kundër Tregtisë së Armëve do ta apelojë këtë çështje.
Kristine Beckerle, një studiuese e Jemenit tha se një “mal me prova” kundër Arabisë Saudite nuk ishte konsideruar si duhet.
“Çfarë i duhet më tepër qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të ushtrojë ndikimin e saj?
Mbretëria e Bashkuar shprehet se është e shqetësuar mbi situatën në Jemen, por duket se nuk dëshiron të ushtrojë presion mbi koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite për ta përmirësuar atë”, shton Beckerle./ Tirana Today