Shpesh ekspertët këshillojnë qytetarët se rregulli i parë për mbrojtjen kundër virusit është ruajtja e mirë e higjienës, veçanërisht larja e shpeshtë e duarve.
Virusi mund të përhapet tek njerëzit gjatë periudhës së tij të inkubacionit, i cili varion nga 2 deri në 14 ditë.
Ekspertët besojnë se një vaksinë për Covid-19 (sëmundja e shkaktuar nga virusi Sars-CoV-2) është ende të paktën 18 muaj larg.
A e dini se një person i prekur, arrin të infektojë 59 mijë të tjerë? Në këtë konkluzion ka arritur një ekspert i kujdesit intensiv, Profesor Hugh Montgomery.
Ai ka shpjeguar se si një person i vetëm me Covid-19, një sëmundje shumë më infektuese se gripi i zakonshëm, mund të infektojë 59 mijë të tjerë në një kohë të shkurtër. Profesori i bëri këto deklarata në programin “Dispatches” në Channel 4.
“Gripi normal, nëse unë përshembull e kam atë, do të infektoj mesatarisht 1.3 ose 1.4 persona. Nëse këta persona ja kalonin dikujt tjetër, kjo do të ishte hera e dytë që gripi transmetohet. Kur kjo të ndodhë dhjetë herë, unë do të jem përgjegjës për infektimin e 14 personave.
Ndërsa ky koronavirus është shumë, shumë infektues dhe çdo person e kalon tek tre persona. Edhe pse nuk duket ndonjë diferencë e madhe. Nëse këta tre e kalojnë tek tre të tjerë dhe kjo ndodh dhjetë herë, unë do të isha përgjegjës për infektimin e 59 mijë personave“, tha ai për programin televiziv.
Për këtë arsye që citon Montgomery, çdo sistem shëndetësor në botë, sado i përparuar të jetë, do të vihej në presion të jashtëzakonshëm dhe eventualisht, nuk do të kishte kapacitetet për të përballuar numrin e madh të infektimeve.
Për rrjedhojë, e vetmja mënyrë për të evituar kolapsin e sistemeve shëndetësore dhe për të shpëtuar jetë, është distancimi social dhe karantinimi në shkallë të gjerë.