E mërkurë, 27 Janar, 2021
2 C
Tirana

“Shes” një adresë holandeze për inceneratorin e radhës

Nga Flutura Açka

Një vit pas vrasjes së djaloshit të ri Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, në kohën kur u censurua një dokumentar kushtuar kësaj vrasjeje makabre dhe hijeve të fajit dhe të pandëshkueshmërisë së tij, mora një mesazh nga një gazetar investigativ. Meqenëse kishte parë nga postimet e mia se isha atë kohë në Holandë, ai më kërkoi miqësisht që – në emër të grupit që gazetarëve që merrej me investigimin – të verifikoja adresën e kompanisë simotër holandeze që u shpall atë kohë si fituese e Inceneratorit të Tiranës.

Pas disa telefonatave të vazhdueshme në numrin e shpallur të telefonit, nga shpesh më vinte heshtje, më në fund nisi të përgjigjej një familje, e cila në fakt u bezdis shumë prej meje dhe e përligji bezdisjen time me gabimin e prerjes së telefonit dhe kaosin e ndonjëhershëm të kompanive telefonike holandeze qysh nga koha kur ishin shfaqur shitjet me telefon.

Që ta çoja deri në fund detyrimin tim, u nisa një ditë për në Amsterdam dhe vajta në adresën që publiku shqiptar njeh si zyra e simotrës holandeze të kanakares sonë shqiptare në Tiranë, që u mori shqiptarëve mbi 430 milion euro për ta bërë Tiranën edhe më të pistë se ç’e kishim. Shkurt, kur mbërrita te adresa e shpallur, një godinë si të gjitha godinat e bukura të Amsterdamit, ishte thjesht një banesë familjare, dhe meqenëse nuk është e udhës t’u biesh dyerve holandeze pa lënë takim, thjesht ndala përballë saj, duke e përfytyryar në fiksionin tim se si ajo lubi do t’i gllabëronte paratë e shqiptarëve nga Amsterdami për të pastruar Tiranën.

Pra, pavarësisht të ndonjë emri holandez që na përfaqëson interesat tona “mbi plehrat”, ajo është një krijim shqiptar. Në Holandë gjithçka ka adresë dhe transparencë. Emra të tillë holandezë që i korrupton paraja, ka sa të duash në Holandë. Fundja, siç ka thënë Michel Houellebecq “Holanda një kompani e madhe është”, kështu që është gjëja më e natyrshme të ndërtosh kompani guacka, e flluska e fantazma e mashtruese atje. Ku ka diell, natyrshëm ka edhe hije, gjatësia e së cilës varet vetëm nga këndi i dritës.

Lexo edhe :   Nuk është mish derri, por kodi i Ndrangheta-s
Lexo edhe :   “Vetviktimizmimi” i Albinit, si revansh ndaj rendit kushtetues

Tani tre vjet më pas asgjë nuk ka ndryshuar, edhe nëse ka ndryshuar dhe ajo godinë është kthyer në adresë e një kompanie shqiptaro-holandeze, nuk ka ndryshuar asnjë të paktën me Tiranën. Është gjihnjë e më e pistë. Kur një mbrëmje ndala te makina e plehrave që po merrte mbetjet e banorëve të rrugës sime në Tiranë dhe e pyeta një si farë shefi që vinte rrotull se “përse nuk pastronin mbetjet rrotull koshave, ato masat me dhera e dërrasa, por vetëm zbraznin koshat?”, më tha shpërfillës: “Nuk është puna jonë, ne kemi kontratë vetëm për mbeturinat në kosha”.

Ndaj, nëse ndokujt i lypet ndonjë adresë holandeze për inceneratorin e radhës, ofroj adresën time. Një gjë është e sigurt: Unë paratë e shqiptarëve do t’i bëj libra!

 

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Video/ Tension dhe përmbysje, Interi eliminon Milanin në minutën e 97-të

Interi triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj Milanit, në derbin e vlefshëm për çerekfinalen e Kupës së Italisë, ku nuk mundoi as tensioni. Ibrahimoviç dhe Lukaku...

Skënder Brataj tregon numrin e personelit mjekësor të vaksinuar

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka bërë me dije shifrat e personelit mjekësor që është injektuar me vaksinën anti-covid deri më tani në...

Shkel rregullat e rrjetit social, Twitter i mbyll llogarinë Genc Pollos

Platfotma Twitter i ka mbyllur llogarinë ish-deputetit të PD, Genc Pollo, për shkak se ky i fundit ka shkelur rregullat e rrjetit social. Lajmin e...

Haradinaj mesazh Serbisë: Do forcojmë policinë dhe ushtrinë e Kosovës

Kandidati për President në Kosovë, Ramush Haradinaj ka përcjellë një tjetër për fqinjët, Serbinë. Haradinaj u shpreh se Kosova nuk do e mbajë më kokën...

Kur lali Eri gjobit Ndrangheta-n

Nga: Dritan Hila Sapo kapën implikimin e tre personave italianë që bënin kështjella në rërë për biznese në Tiranë dhe ku përmendej edhe mafia kalabreze,...