Sherri në Kuvendin e Kosovës, reagon Isa Mustafa

Deputeti i LVV, Gazmend Gjyshnica pretendon se është sulmuar fizikisht në korridoret e Kuvendit të Kosovës nga dy kolegë të LDK.

Sipas tij, pas mbledhjes së Komisionit për Punët e Jashtme, ai ka dalë i fundit në korridor ku e prisnin dhe e sulmuan Kujtim Shala dhe Arben Gashi.

Lidhur me këto pretendime ka reaguar edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, duke thënë se ato janë të improvizuara nga Gjyshnica “për të luajtur rolin e viktimës”.

“Kështu është, kur nuk e kupton gjuhen intelektuale të Akademikut Kujtim Shala. Nuk ke kapacitet të mendosh dhe ta kuptosh se çfarë tha dhe thua me rrahu Kujtimi.

Akademik Shala mund ti rrahë me dije e me argumente prej të parit deri në të fundit të VV-së dhe të gjithë së bashku. Ai ka dije e mendjehollësi; ka më shumë libra të botuara sesa VV-ja deputetë.

Frikësohem se nëse deputetët e VV-së i lexojnë librat e Kujtimit dhe nuk i marrin vesh, pasi janë vetëm zhurmues, do ta thërrasin një helikopter, jo makinë të ndihmës së shpejtë, para ndërtesës së Kuvendit.

Deri sot i kanë bërë të gjitha të zezat, e sot improvizojnë se i sulmuan deputetët e LDK-së, sepse duan të luajnë rolin e viktimës.

Tani po pres, që ndonjë diplomat i jashtëm, përkëdhelës i VV-së, të ma sjell një “demarsh” në LDK; ata që u mërzitën shumë kur e prishëm koalicionin me VV-në?! IM”, shkruan Mustafa në Facebook.