Kosova ka konfirmuar 2 raste të reja me koronavirus ditën e sotme, duke e çuar në 33 numrin total të të prekurve.
Përmes një njoftimi për mediat, IKSHPK deklaroi se rastet e reja janë nga fshati Vrapçiç i Gjilanit dhe fshati Domanek i Malishevës.
Deri më tani në Kosovë janë zhvilluar 577 teste për koronavirus, ndërsa janë në vëzhgim 560 kontakte të rasteve që kanë rezultuar pozitive.
Njoftimi i IKSHPK:
Sot me 22.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar dhjetë mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe dy prej tyre janë pozitive. Dy prej rasteve pozitive janë raste kontakti njëri me vendbanim nga fshati Vrapçiç komuna e Gjilanit, e gjinisë femër me moshë 50 vjeç dhe tjetri me vendbanim nga fshati Domanek komuna e Malishevës i gjinisë mashkull i moshës 53 vjeç. Nga data 08.02.2020 deri me 22.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 577 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej 33 raste kanë rezultuar pozitive.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 560 kontakte të rasteve që kanë rezultuar pozitive.