Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në periferi të Tiranës, në fshatin Domje. Rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija” u sulmua me armë banesa e prindërve të gazetares së kronikës, Klodiana Lala.
10 plumba kanë dëmtuar pjesën ballore të shtëpisë, në pronësi të babait të Lalës. Plumbat kanë depërtuar edhe në derën kryesore të banesës, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
https://tiranatoday.com/gazetarja-e-sulmuar-rrefen-cfare-ndodhi/
“Të shtënat me breshëri kanë shokuar familjen që është zgjuar nga gjumi e tronditur. Në banesë kanë qenë 8 persona, ndërsa gazetarja dhe bashkëshorti i saj jo, por përveç prindërve e familjarëve të tjerë ishin dhe dy vajzat e saj. Në dhomën e gjumit kanë depërtuar plumbat në kasën e derës, por jo brenda ambientit”, raporton “News 24”.
Për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, në pyetje janë marrë edhe fqinj e të afërm të gazetares. Këta të fundit kanë deklaruar se janë zgjuar rreth orës 3 nga një zhurmë, kanë dalë në ballkon, por nuk kanë parë gjë. Në zonë për fat të keq nuk ka as banesa apo objekte me kamera sigurie.