E enjte, 2 Dhjetor, 2021
13.5 C
Tirana

Shëngjin-Tale: Bukur, por trafiku ta nxjerr për hundësh

Nga: Preç Zogaj

Edhe këtë verë, njëlloj si gjatë gjithë dekadës së fundit, fluksi i madh i pushuesve dhe udhëtarëve me destinacion Lezhën, Shëngjinin dhe Talen, u përball dhe vazhdon të përballet me një trafik tejet të rënduar, torturues, ngadalëson në një të ecur prej breshke sa më shumë i afrohet qytetit të Lezhës dhe shmangies për në Shëngjin. Nganjëherë, trafiku shndërrohet në bllokim të plotë nën diellin përvëlues, si një krijesë që i ka ngecur në grykë një bishe. “Bisha” në këtë rast janë segmentet e rrugës nacionale të trevës. E njëjta gjë, e njëjta torturë edhe në orët e pasdites së vonë kur pushuesit dhe vizitorët dynden me autoveturat e tyre nga plazhet e Shëngjinit e Tales dhe marrin rrugën e kthimit nga kanë ardhur.

Kur sheh se si ngjishet, zgjatet e ngec vargu i stërgjatë i makinave në rrugën mes Milotit dhe Lezhës, përfshirë degëzimet e rrugëve rurale të këtij aksi, të krijohet përshtypja se gjithë këta njerëz nuk po shkojnë për të kaluar fundjavën apo për të shijuar për disa ditë bregdetin e mrekullueshëm të vijës Shëngjin-Tale, me Kunen dhe Vainin magjik në mes, por janë nisur prej larg për pelegrinazh në një vend të shenjtë. Pelegrinazh që vjen e bëhet gjithnjë e më i mundimshëm, sa më shumë i afrohen mbërritjes. Pelegrinët i llogarisin qysh në krye të herës sakrifica në shkëmbim të bekimeve dhe hireve që synojnë të përfitojnë nga shenjtëria. Kurse njerëzit që vijnë në Shëngjin, Ranë të Hedhur dhe Tale janë turistë, pushues. Vijnë për qejf.

Këto vende të mrekullueshme i shpërblejnë pritshmëritë e tyre. Por mundimet për të shkuar e për t’u larguar prej andej ua nxjerrin për hundësh kënaqësinë që kanë marrë. Dihet se “Rruga e Kombit” ktheu fluksin popullor të pushuesve nga Kosova drejt Shqipërisë.

U bënë dymbëdhjetë vjet nga koha e përurimit të saj, por segmenti Milot-Lezhë ku mbaron apo derdhet kjo autostradë madhështore është po ai që ka qenë: një rrugë me dy kalime. Rruga e Shëngjinit është po ajo. Rruga e Tales po ajo. Investimet private kane njohur një bum në Shëngjin. Së fundi po lulëzojnë edhe në Tale. Kurse investimet publike të qeverisë në këto rrugë prioritare kanë mbetur në vend për më shumë se një dekadë. Gjithkush mund të imagjinojë pamjen e një stadiumi të stërmadh me një hyrje të ngushtë ku njerëzit ngjishën për të hyrë e për të dalë. Ky fat i pret pushuesit që vinë nga Kosova, Kukësi, Mirdita, Tirana e tjerë, që zgjedhin bregdetin Shëngjin-Tale për të pushuar. I pret “gryka e shishes” në shmangien e rrugës nacionale drejt Shëngjinit. Rruga Lezhë-Shëngjin qe zgjeruar me tri korsi në një segment të saj gjatë mandatit të parë të qeverisë “Berisha”. Zgjerimi ndaloi në mandatin e dytë. Segmenti i pazgjeruar mori emrin “gryka e shishes”. Ngecja e trafikut aty vjen e shtrihet deri në Milot e më larg.

Nuk ka pasur e nuk ka Lezha rrugë më të rëndësishme për të ndërtuar se ato të Shëngjinit dhe Tales. Bregdeti Rana e Hedhun- Shëngjin-KuneVain-Tale, një zonë unike mund të themi, është sot një ndër destinacionet më të mëdha turistike në shkallë vendi. Nisma private po bën mrekullira. Cilësia e hotelerisë, kulinarisë dhe kushteve të pushimit vetëm rritet. Kryeministri Rama organizon çdo vit një takim me operatorët turistikë, të cilët kanë çdo vit një kërkesë kryesore: rrugën. Ata dëgjojnë çdo vit premtime, muhabete, romuze. Kalon një sezon, vjen tjetri, bëhen tetë vjet, fillon i nënti… Projektet e reja nuk fillojnë. Së paku të kishte përfunduar zgjerimi i lënë mes rrugës ekzistuese të Shëngjinit. Por edhe rrugët e reja përmes ish-Lagunës apo nga ana e malit mund të kishin filluar. Projekte ka pasur e ka jo pak: nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, nga qeveritë. Edhe paratë janë. Shëngjini dhe Lezha në tërësi japin për buxhetin e shtetit më shumë se marrin. Ka munguar deri tani vullneti. Madje, ka plot operatorë e qytetarë që thonë “mungon dashja”.

Lënia pas kaq vitesh e një zonë turistike kombëtare e ndërkombëtare pa të dytë në ultësirën e Adriatikut, “Amazona e vogël e Adriatikut”, siç e ka quajtur dikur një diplomat amerikan, mbështet idenë se mungon edhe dashja për të investuar. Pushuesve që zgjedhin këtë pjesë të bregdetit duket sikur u është vënë një taksë shtesë për të ardhur këtu. Për ata që vijnë nga Kosova, që janë më të shumtit në numër, “grykat e shishes” në Lezhë janë pengesa e tretë pas kufirit në Morinë dhe traut me pagesë në Rrugën e Kombit. Fatmirësisht, vazhdojnë të vinë, me mijëra. Me shpresë se do ta gjejnë më mirë vitin tjetër. Por ka plot që nuk vijnë më për shkak të mundimeve për të hyrë e për të dalë nga Shëngjini. Kuptohet se “gryka e shishes” në hyrje të rrugës së Shëngjinit e përçon bllokimin në gjithë qytetin e Lezhës e doradorës deri në Rinas e Vorë. Sepse edhe rruga Thumanë-Vorë shndërrohet në grykë shisheje, pasi ke bërë disa kilometra autostradë në segmentin Milot-Thumanë.

Lexo edhe :   Rama: Do ndaloheni të shkoni në punë, nëse nuk vaksinoheni!
Lexo edhe :   Rama: Do ndaloheni të shkoni në punë, nëse nuk vaksinoheni!

Nëpër këtë sistem rrugësh të palidhura apo të lidhura me “gryka shishesh”, udhëtimi në verë ngado që t’ia mbash shndërrohet në akth dhe mundim. Një miku im nga Tirana kishte planifikuar të shtunën e kaluar një zhvendosje për qejf në Lezhë për të kaluar drekën me mua dhe një studiues letërsisë. Ai u nis nga Tirana në orën nëntë. E dinte se rreth shtatëdhjetë kilometrat që ndajnë Lezhën nga Tirana përshkohen zakonisht për një orë gjatë ditës dhe për më pak se pesëdhjetë minuta gjatë natës. Ai kishte parashikuar edhe një orë me shumë për shkak të trafikut të shtuar në pikun e sezonit turistik.

Kishte llogaritur të ishte në Lezhë rreth orës 11:00 për të na u bashkuar në vizitën që studiuesi i letërsisë dhe unë po u bënim disa kishave të vjetra në shoqërinë e dom Nikë Ukshinit. Por mbërriti vetëm në orën 13:00. Merret me mend se tema e trafikut të rënduar në rrugën nacionale drejt Lezhës, që ka marrë dhënë si temë, pati vendin e saj në bisedat tona. Duke ndjerë keqardhje për frustrimin e mikut tim dhe duke e ditur se trafiku do të ishte akoma më i rënduar pasdite vonë dhe në mbrëmje, gjatë dyndjes së autoveturave pa mbarim nga Shëngjini dhe Talja, u kujdesa që dreka të mos zgjatej shumë dhe gjithë çfarë kishim planifikuar për të vizituar pasdite ta fshinim nga programi. Ishte gjëja më e zgjuar të merrte rrugën e kthimit rreth orës gjashtëmbëdhjetë, para se “bisha” trafik të zgjohej nga dremitja e pasdites. Ashtu bëri. Por nuk pati fat. Arriti të kthehej në Tiranë pas orës 20:30.

Ma tha me një humor gri. Nuk i ndërronte me asgjë takimin, bisedat, flladin e pyllit rreth “Hotelit të Gjuetisë”, ku kaluam drekën, por i kishte në grykë ato njëmbëdhjetë e dymbëdhjetë orë udhëtim. Në pishë të diellit, më shumë se gjysma prej tyre. Nuk ishim vetëm ne që kishin llogaritur të shfrytëzonin dremitjen e “bishës”. Shumë e shumë të tjerë kishin menduar të njëjtën gjë. Trafik të rënduar ka kudo në verë. Por, siç e theksuam, ky në aksin Milot-Lezhë-Shëngjin është ku e ku përtej rëndimit të parashikueshëm veror.

Edhe këtë vit ka gjasa që Kryeministri të takohet përsëri me operatorët turistikë për të bërë bilancin e sezonit dhe për të shpalosur përsëri planet dhe hartat e shpalosura disa herë. Le të shpresojmë të nisë më në fund vënia në zbatim e një apo dy prej tyre. Emergjente është rruga e Shëngjinit. Rana nuk ka përse e mban peng zhvillimin infrastrukturor të zonës ngaqë kërkon medoemos ndërtimin me PPP të autostradës fushore Milot-Balldren, duke ndjekur aksin ekzistues me dy korsi, me një kosto stratosSferike që ia kalon kostos mesatare për kilometër të autostradës së Kombit, ndërtuar mbi gur nga hiçi.

Tani që është ngritur BKH me asistencë amerikane, do të ketë hetime intensive në projektet me dorë të rëndë ku ustallarët e korrupsionit llogarisin edhe tridhjete përqindëshin e normuar për zyrtarët. Këtu është korrupsioni i madh. Autostrada MilotBalldren mund të ndërtohet fare mirë si investim publik (jo PPP), si vazhdim i autostradës Thumanë-Milot, me të njëjtat kosto pak a shumë. Lezha, Shëngjini, Rana e Hedhun, Talja, ka kohë që meritojnë rrugë të denja për atë çfarë janë si destinacione të mëdha turistike. /Panorama

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Ben Blushi dorëhiqet nga drejtimi i “Top Channel”

Ben Blushi ka dhënë dorëheqjen nga "Top Channel", media e njohur të cilën e drejtonte prej katër vitesh. Nga sot ai nuk është më...

Komiteti Teknik publikon masat e reja, çfarë do ndodhë nga 4 janari

Pas rritjes së rasteve dhe shtrirjes së madhe në mbarë botën si pasojë e variantit Omicron, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të...

Sebastian Kurz tërhiqet nga politika

Akuzat për korrupsion e detyruan Sebastian Kurz-in të jepte dorëheqjen si kancelar austriak. Kreu i ÖVP tani largohet nga të gjitha funksionet e tij...

24 vende të botës me Omicron, OBSH: Rrezik më i lartë i ri-infektimit

Zyrtarët shëndetësorë thonë se varianti i ri i koronavirusit Omicron tani është bërë dominues në Afrikën e Jugut, dhe po nxit një rritje të...

Greqia konfirmon rastin e parë të Omicron. Gjobë kush nuk vaksinohet

Greqia ka raportuar rastin e parë të variantit të koronavirusit Omicron në ishullin e Kretës, njoftoi sot në mëngjes Ministri grek i Shëndetësisë, Thanos...