Këshilltari i posaçëm për emergjencat civile pranë Presidencës, Shemsi Prençi, ka bërë një denoncim në lidhje me Institutin e Ndërtimit në Shqipëri. Sipas Prençit, ky institucion që është certifikuar për të bërë vlerësimet e dëmeve, prej 15 vitesh funksionon pa ligj dhe pa punëtorë të specializuar.
Në vazhdën e denoncimit, ai tha se Instituti i Ndërtimit ka 16 punonjës. 7 prej të cilëve pa licencë projektimi dhe kategori vlerësimi, 5 të sapo diplomuar që vijnë nga organizatat rinore të partive dhe vetëm 4 janë të kompletuar për të dhënë vlerësime.
“KLSH ka kërkuar përafrimin e legjislacionit, hartimin dhe përafrimin e legjislacionit me standardet e BE në raport me Ministrinë e Infrastrukturës. Konkretisht me Institutin e Ndërtimit, i cili është certifikuar për të bërë kontrollin dhe vlerësimin e dëmeve në Shqipëri.
Rezulton një tronditje shumë e madhe, sepse Instituti i Ndërtimit prej 15 vitesh funksionon pa ligj dhe funksionon vetëm me një urdhër të ministrit të Punëve Publike, strukturë kjo e një qeverie më parë.
Më e rënda rezulton se Instituti i Ndërtimit ka 16 punonjës, 7 prej të cilëve pa licencë projektimi dhe kategori vlerësimi. 5 të sapo diplomuar që vijnë nga organizatat rinore të partive dhe vetëm 4 janë të kompletuar për të dhënë vlerësime.