Kandidati për Kryetar i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka zhvilluar ditën e sotme një takim me demokratët në Kukës.
Gjatë fjalës së tij, Shehaj ka lënë të nënkuptohet se ka të dhëna në lidhjen me vendimin që do të japë Gjykata Kushtetuese, për zgjedhjet vendore të zhvilluara më 30 qershor të vitit 2019.
Shehaj u shpreh se dmeokratët duhet të bëhen gati për zgjedhjet lokale të vitit 2023 dhe ato parlamentare të vitit 2025. Sipas asaj që ka deklaruar Shehaj, Gjykata Kushtetuese do t’i japë të drejtë qeverisë dhe jo Presidentit Ilir Meta, i cili nuk e dekretoi 30 qerhsorin.
“Ne demokratët duhet të mendojmë për opozitën që PD duhet të bëjë ndaj regjimit të Edi Ramës. Ne demokratët duhet të mendojmë për zgjedhjet lokale të vitit 2023 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. A mundet që me Bashën në krye të bëhet opozitë e fortë? A mundet që me Bashën mund të fitohen ndonjëherë zgjedhje? Zgjedhja para demokratëve më 13 qershor është e thjeshtë: do të rrezikojnë të humbin prapë apo do të ndryshojnë partinë për të fituar. Unë ju bëj thirrje të votoni ndryshimin që PD të bëhet prapë #PartiaQëFiton,”- shkruan Shehaj në rrjetin social, Facebook.
Më 23 qershor, Kushtetuesja jep vendimin e saj për dekretin e Metës. Presidenti anuloi 30 qershorin, si datë e zhvillimit të zgjedhjeve lokale, dhe dekretoi datën 13 tetor si të ligjshme. Pavarësisht këtij vendimi, zgjedhjet u zhvilluan më 30 qershor.