Administrata e SHBA-ve ka dëbuar një tjetër grup shtetasish iranianë, kanë konfirmuar autoritetet në Teheran, ndërsa politikat e ashpra të emigracionit nën presidencën e Donald Trump vijojnë të shtrëngohen.
Sipas raportimeve, më shumë se 50 iranianë u larguan të dielën nga Mesa, Arizona, me një avion charter që bëri ndalesa në Kajro dhe Kuvajt përpara se të mbërrinte në Iran. Ministria e Jashtme iraniane njoftoi se grupi ka mbërritur në vend, ndërsa autoritetet amerikane të emigracionit thanë se nuk mund të “konfirmojnë ose mohojnë” ekzistencën e fluturimit për arsye sigurie.
Ky është fluturimi i dytë i dëbimeve brenda pak muajsh. I pari u krye në fund të shtatorit, në një akt të rrallë bashkëpunimi mes dy vendeve që prej vitesh ndodhen në përplasje të vazhdueshme diplomatike. Shumë iranianë kërkojnë azil në SHBA duke thënë se rrezikojnë persekutim në atdhe.
Atë Joseph Bach, pjesë e organizatës françeskane Borderland Companions of Hope, tha për mediat se ka marrë informacion nga kontakti brenda një qendre paraburgimi në Arizona se mes të dëbuarve kishte të konvertuar në Krishterim dhe persona që identifikohen si LGBT. Sipas tij, këto grupe përballen me rrezik serioz në Iran.
“Është veprimi më i pakrishterë që mund të bëhet. Është e frikshme dhe tejet shqetësuese. E quaj një fluturim drejt vdekjes”, u shpreh ai.
Autoritetet iraniane deklaruan se kanë ndihmuar procesin e riatdhesimit dhe se të deportuarit “kanë shprehur vullnetin për t’u kthyer”, sipas agjencisë Mizan. Por disa prej tyre mohojnë se janë rikthyer me dëshirë.
Një i ri që foli për BBC-në nga një qendër paraburgimi në Arizona, tha se ai dhe partneri i tij kishin kaluar në këmbë kufirin nga Meksika në fillim të vitit. Ai deklaroi se kthehesh i rrezikon jetën në Iran, por është përfshirë në listën e mundshme të largimeve. Dëbimet vijnë në një periudhë me marrëdhënie veçanërisht të acaruara mes Uashingtonit dhe Teheranit, pas bombardimit nga SHBA të objekteve bërthamore iraniane në qershor.
Ky zhvillim nënvizon linjën e ashpër të administratës Trump ndaj emigracionit, me fokus të veçantë te siguria kufitare dhe reduktimi i migracionit të parregullt, një prej premtimeve kryesore të tij politike.













