”SHBA nuk mbështet asnjë kandidat apo parti”/ Kim sqaron deklaratën e saj

Ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim ka sqaruar deklaratën e saj të bërë mbrëmjen e djeshme gjatë një emisioni televiziv, për zgjedhjet e 25 prillit.

Teksa ka cituar disa nga titujt e lajmeve lidhur me çështjen në fjalë, Kim u shpreh se nuk ishte ajo çfarë kishte thënë.

Kim deklaroi se SHBA nuk mbështet ndodnjë kandidat apo parti të veçantë, por të drejtën e qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre përmes votës së tyre.

”Kjo NUK është ajo që thashë / mendoja. Ja çfarë thashë: SHBA NUK mbështet ndonjë kandidat apo parti të veçantë. SHBA mbështet të drejtën e qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre përmes votës së tyre. SHBA paralajmëron ata që e mohojnë këtë të drejtë duke blerë vota ose duke frikësuar votuesit.”, shkruan Kim në rrjetin social, Twitter.

Çfarë tha ambasadorja Kim?

Mbrëmjen e djeshme, e ftuar në emisionin “Përballë” ajo është shprehur se 25 prilli është momenti kur shqiptarët të tregojnë se janë kundër kriminelëve dhe të votojnë për ndryshimin.

“Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti,”-tha Kim. Mesa duket “votoni për ndryshim” është kuptuar sikur ambasadorja Kim po sygjeron një votë kundër kryeministrit Edi Rama. Kjo pasi fraza përkon me sloganin e PD-së për zgjedhjet parlamentare.