SHBA: Makina përplaset në barrierën e Kapitolit, humb jetën një polic

Një makinë u përplas në një barrikadë pranë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara të premten pasdite, duke plagosur dy oficerë të Policisë së Kapitolit, njëri prej të cilëve më pas humbi jetën, thanë zyrtarët e rendit.

Drejtuesi i automjetit u qëllua për vdekje nga policia, sipas njoftimeve.

Policia e Kapitolit thotë se ngjarja ndodhi të premten pasdite tek një pikë kontrolli pranë Kapitolit.

Incidenti vjen ndërsa zona e Uashingtonit vazhdon të jetë në gatishmëri, gati tre muaj pasi një turmë kryengritësish të armatosur sulmoi Kapitolin kur Kongresi po votonte për të konfirmuar fitoren e presidentit aktual Joe Biden.

Policia e Kapitolit tha se dikush “godit me një automjet dy oficerë të policisë së Kapitolit”.

Sipas disa burimeve, drejtuesi i automjetit doli nga makina dhe mbante në dorë një thikë.

Njëri nga oficerët që u plagos u dërgua me makinë policie në spital; tjetri po transportohej nga ekipet e urgjencës mjekësore, thanë zyrtarët.

Kompleksi i Kapitolit u vendos në izolim pas incidentit dhe askush nuk mund të hynte ose të dilte nga godinat e kompleksit.

Rrethimet që pengonin trafikun e automjeteve pranë asaj zone u hoqën së fundmi, pasi Kapitoli filloi të rihapej pas trazirave të 6 janarit./VOA/