Gjatë debatit të ashpër presidencial të së martës, Presidenti Donald Trump paralajmëroi se “nuk do të pranojë” rezultate zgjedhore në bazë të fletëve të votimit me postë, që ai pretendon se i hapin rrugën mashtrimeve.
Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit vdekjeprurës, disa shtete e kanë zgjeruar votimin me postë dhe sipas sondazheve, demokratët janë më të prirur të votojnë me këtë metodë. Përveç gjasave që zoti Trump të sfidojë rezultatet e zgjedhjeve në gjykatë nëse humbet, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden njofton se ka shqetësime në rritje se fushata e tij do të përpiqet gjithashtu të bindë Kolegjin Zgjedhor që të hedhë poshtë rezultatet e votës popullore në shtetet ku kandidati demokrat Joe Biden konsiderohet fitues.
Në fund të bebatit presidencial të së martës, dy kandidatët u pyetën nëse do të prisnin për të shpallur fitoren derisa rezultatet e zgjedhjeve të verifikoheshin në mënyrë të pavarur. Kandidati demokrat, Joe Biden ra dakord.
“Kur të shpallet fituesi, pasi të jenë numuruar të gjitha votat, aty vendoset. Nëse fitoj unë, në rregull. Por nëse nuk jam unë fituesi, unë do të mbështes rezultatin”, tha ai.
Por Presidenti Trump nuk u përgjigj qartë dhe përsëriti akuzat pa bazë për mashtrim masiv nga votimi me postë, që mund të sabotojnë zgjedhjet.
“Jam 100% dakord. Por nëse shoh se po manipulohen dhjetra-mijëra vota, nuk mund ta pranoj një gjë të tillë”, tha ai.
Drejtori i FBI-së, Christopher Wray ka thënë se nuk ka prova për manipulim të gjerë votash me postë këtë vit.
Zoti Trump është në disavantazh sipas anketave dhe ka lënë të kuptohet se do t’i sfidojë ligjërisht votat me postë nëse nuk fiton. Këto sfida mund të përfundojnë në Gjykatën e Lartë.
Ndërkohë, presidenti dhe partia e tij po veprojnë me shpejtësi për të mbajtur një votim konfirmimi në senat për gjykatësen Amy Coney Barrett, kandidate për të zëvendësuar anëtaren e Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg.
Po ashtu ka pasur njoftime se duke përmendur si arsye mashtrimin me votat, zoti Trump mund t’u kërkojë shteteve me guvernatorë republikanë, të përmbysin rezultatin e votës popullore, nëse fiton zoti Biden. Ndihmësit e zotit Trump e kanë mohuar një gjë të tillë.
Në Kolegjin Zgjedhor, organet legjislative të shteteve përdorin rezultatin e votës popullore për të zgjedhur delegatë nga partia fituese, të cilët pastaj hedhin votën zyrtare në emër të banorëve të shtetit të tyre.
Refuzimi i rezultatit të votës popullore, mund të minojë besimin e publikut tek demokracia, thonë analistët.
“Mund të indinjojë shumë nga qytetarët që kanë votuar dhe presin që vota e tyre të ketë vlerë”, thotë profesorja e shkencave politike, Lara Brown e Universitetit George Washington.
Kolegji Zgjedhor është bërë i debatueshëm pasi u shpall fitues George W. Bush në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 dhe Donald Trump në vitin 2016, megjithëse të dy humbën votën popullore në shkallë vendi.
Ndërsa shumë demokratë tani bëjnë thirrje për eliminimin e Kolegjit Zgjedhor, republikanët e mbrojnë këtë sistem votimi jo të drejtpërdrejtë, sepse ruan proporcionalitetin e delegatëve në shtetet rurale.
“Do të thotë që kandidatëve u duhet të punojnë për të bërë për vete grupe më të gjera të popullsisë, në vend që të bëjnë fushatë vetëm në qytetet e mëdha”, thotë Hans von Spakovsky, ish-anëtar i Komisionit Federal të Zjedhjeve dhe ekspert në Fondacioni Heritage./VOA/