Ekipet e specializuara në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bënë me dije se brenda disa ditësh, do të shembin pjesën e mbetur të komplesit Champlain Towers South.
Ky veprim, do të merret si masë paraprake për t’i lehtësuar punën ekipeve të shpëtimit, për të vijuar kërkimet nën rrënoja për të mbijetuar, edhe pse shpresat janë të pakta, shkruan BBC.
Guvernatori Ron DeSantis tha se ndërtesa në Sërfsajd po lëkundet dhe nuk është e sigurtë nga ana strukturore prandaj duhet shembur si masë mbrojtëse.
“Nëse e rrëzojmë ndërtesën, do të mbrojmë sigurinë e ekipeve të kërkim-shpëtimit, sepse nuk i dihet çfarë mund të ndodhë,” tha DeSantis në një konferencë për shtyp.
Ndërkohë, ryetarja e bashkisë së Majamit ka nënshkruar një urdhër emergjent për shembjen e pjesës së mbetur të ndërtesës, sapo urdhri të marrë edhe firmën e inxhinierëve.
Deri më tani, numri i viktimave nga shembja e pjesshme e ndërtesës 12-katëshe më 24 qershor ka shkuar në 24, teksa 124 persona ende janë të pagjetur.