Sezoni i ardhshëm i gripit, mund të jetë tepër i çuditshëm dhe shumë i keq

Distancimi social gati e ka ndalur përhapjen e gripit dhe viruseve të tjera të frymëmarrjes. Por ekspertët paralajmërojnë se kjo do të thotë që shpërthimet epidemike gripale në të ardhmen mund të jenë të mëdha. Ato mund të shfaqen në kohë të çuditshme apo të papritura.

Në periudhën aktuale, më pak raste të gripit nënkuptojnë më pak vdekje nga gripi dhe shtrime në spital, duke hequr një pjesë të barrës nga sistemet e kujdesit shëndetësor, që tanimë po merren me Covid-19.

Ndërkohë, rastet e viruseve të tjerë sezonalë, përfshirë virusin sincital të frymëmarrjes (RSV), koronavirusët e së ftohurës së zakonshme dhe viruset e para-gripit, të cilat shkaktojnë infeksione të traktit të sipërm dhe të poshtëm, janë zvogëluar në nivele shumë të ulëta këtë vit.

Kjo me sa duket për shkak të masave paraprake të lidhura me koronavirusin, si mbajtja e maskës, distancimi fizik, larja e shpeshtë e duarve, dhe udhëtimet e kufizuara ndërkombëtare. Por ekspertët parashikojnë që kjo ndërprerje,mund të na lërë më të prekshëm, pasi më pak njerëz ekspozohen dhe shumë pak fitojnë imunitet ndaj shtameve virusale që qarkullojnë.

“Ndjeshmëria në popullatë ndaj viruseve të tilla po rritet”-tha për “The Atlantic” Shueta Bansal, ekologe e sëmundjeve në Universitetin Xhorxhtaun në Uashington. Për shembull, do të lindin fëmijë pa asnjë ekspozim paraprak ndaj viruseve. Edhe më vonë do të hasin më pak viruse se sa në një vit mesatar; ndërkohë, imuniteti tek të rriturit e ekspozuar më parë, do të fillojë të zbehet.

Njerëzit pa ose me imunitet të zvogëluar “janë si benzina për ‘zjarrin gripal” thotë Bansal. “Dhe sa më shumë ‘karburant’ në dispozicion, aq më lehtë mund të ndodhë një shpërthim epidemik”- thekson ajo. Përballja mund të ndodhë pas heqjes së masave paraprake kundër Covid-19, duke shkaktuar një rikthim të infeksioneve, thotë Rashel Bejker, epidemiologe në Universitetin Prinston.

Ndërsa rritet madhësia e popullsisë së ndjeshme nga viruseve gripale “ne duhet të jemi të përgatitur për shpërthime jashtë sezonit të zakonshëm dhe potencialisht shumë të mëdha”, thotë Bejker. Për shembull, rajoni i Uellsi të Ri Jugor në Australi, vëren zakonisht rastet me virusin RSV midis mesit të prillit dhe qershorit.

Por gjatë sezonit të vitit 2020, numri i testeve pozitive me RSV, ra me më shumë se 85 për qind krahasuar me vitet e fundit. Por në fund të dhjetorit, kur u hoqën kufizimet e Covid-19 në këtë rajon, rastet me RSV u rritën. Zakonisht në fund të dhjetorit aty raportohen vetëm disa qindra raste.

Por në vitin 2020, pati 6.000 teste pozitive me RSV në vetëm 2 javë. Rasti australian “mund të jetë një paralajmërim interesant i asaj që do të ndodhë më vonënë Hemisferën Veriore” mendon Bejker. Shkencëtarët nuk e dinë ende nëse sezonet e ardhshme të gripit do të jenë më të këqija.

Por mungesa e llojeve qarkulluese të gripit, e bën më të vështirë përgatitjen për sezonin tipik. Ekspertët normalisht gjurmojnë mënyrën se si shtame të ndryshme të gripit pësojnë mutacione me kalimin e kohës, në mënyrë që të parashikojnë se cilat versione të virusit mund të mbizotërojnë në sezonin e ardhshëm.

Kjo analizë e hershme, i ndihmon ata që të hartojnë paraprakisht përbërjen e vaksinave të reja të gripit. Por, me kaq pak raste të gripit këtë vit, shkencëtarët nuk kanë të dhëna. Niveli i ulët i qarkullimit të viruseve gripale mund të shfarosë në teori shtame të caktuara të gripit, thotë Florian Kramer, virolog dhe ekspert i gripit në Shkollën e Mjekësisë në Sinai Mount. Por nga ana tjetër, ai thotë se mund të shfaqen lloje krejtësisht të reja, për të cilat shkencëtarët nuk kanë dijeni.

Burimi i lajmit: https://www.livescience.com/offseason-flu-respiratory-infections.html

Përshtatur nga TIRANA TODAY