“Servisi u ble me kredi”, flet babai i dy vëllezërve që u ekzekutuan në Durrës

Babai i dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia të ekzekutuar pranë tregut të makinave në Shënavlash të Durrësit, tregon se servisi dhe lavazhi që ata kishin në pronësi janë ngritur me anë të një kredie, që ata kishin marrë në bankë.

“Besmiri dhe Tori kishin hapur një servis makinash me të cilin punonin dhe një lavazh. I bëj thirrje medias që të mos hedhin hi pasi nuk e dinë çështjen e djemve të mi. Kam hyrë borxh, kredi, kam marrë kredi prej 40 mijë euro, kam vendosur shtëpinë peng”, thotë Kol Haxhija.

Ai i kërkon shtetit të zbulojë cilët janë autorët e këtij krimi makabër dhe t’i arrestojë ata. Gjithashtu babai i ka kërkuar edhe mediave që të tregohen të matur në lidhje me këtë çështje.

Burime nga grupi hetimor e lidhin këtë vrasje edhe me një ngjarje të rreth një muaji më parë, ku një sasi prej 30 kg heroine dhe kokaine u kap në brigjet e Barit në një kamion të modifikuar. Dyshohet se modifikimi mund të jetë kryer në servisin e dy vëllezërve Haxhia.