Kronikë

Sëmuret Mihal Kokëdhima, Gjykata i rrëzon kërkesën për të dalë nga burgu


               Publikuar në : 12:14 - 09/10/19 Enno

Gjykata e Vlorës ka rrëzuar kërkesën e Mihal Kokëdhimës për t’u liruar nga qelia, për shkak të problemeve shëndetësore. Përfaqësuesi i akuzës, Saimir Smaka, i kishte kërkuar gjyqtares së çështjes që të refuzonte kërkesën e tij për lirim.

Mësohet se Mihal Kokëdhima është sëmurur në ambientet e burgut ku po vuan dënimin. Kokëdhima kishte disa raporte mjekësore të kryera disa kohë më parë në spitalin e Janinës në Greqi, ku mjekët përmes një ekografie kanë evidentuar se ai kishte një zgjerim të aortës së zemrës.

Me anë të këtij raporti mjekësor, të cilin Kokëdhima ia ka drejtuar gjykatës së Vlorës, ai ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një masë më të butë. Sipas avokatëve të tij, Kokëdhimës i rrezikohet jeta gjatë qëndrimit në burg, pasi sëmundja nga e cila ai vuan, mund të sjellë përkeqësime të shëndetit.

“Shqiptarja.com” mëson se veç këtij argumenti Kokëdhima ka parashtruar në gjykatë se nuk shfaq asnjë rrezikshmëri shoqërore, pasi sipas tij menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes lokali i tij është prishur dhe për pasojë askush nuk duhet të ketë më frikë se ai do të bëje konflikt me ndokënd.

Kujtojmë se Mihal Kokëdhima u arrestua pas publikimit të videos, ku ai shihej të terrorizonte një familje turistësh nga Spanja, të cilët sapo ishin larguar nga lokali i tij ‘Panorma’.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT