Shqipëria

Sarandë/“Se duam më veten, jemi bërë të shesim shtëpitë”

               Publikuar në : 21:35 - 17/05/19 marsela

“Stop” ka udhëtuar drejt Sarandës në lagjen e Baba Rexhepit, pikërisht në vendin e njohur si “Gropa e Patates”, ku 3 vjet më parë ishte ndërtuar depoja e ujit.  Banorët tregojnë se asokohe u gëzuan, pasi shpresuan, që problemi i ujit u zgjidh njëherë e përgjithmonë, por sot kriza e ujit ka arritur kulmin.

“U gëzuam shumë në fillim se thanë është një projekt i cili do të ishte shpëtimtar për ne, sepse jemi në viktima. Uji më përpara na vinte në mesnatë, sepse me ujin e pijshëm furnizohen hotelet, mbushen pishinat dhe kur u pezulluan punimet na thanë që nuk ua morën në dorëzim. Jemi bërë që se duam më veten, të gjithë në lagje jemi bërë të shesim shtëpitë dhe ta braktisim. Të shumtët madje kanë ikur në emigrim. Uji aktualisht vjen me orar, por vjen mbi varreza. Për shtëpitë lart përdoren 2-3 motorpomapa, biles unë personalisht nuk kam kontratë uji sepse nuk mund të dal në mes të natës vër një pompë e hiq një tjetër. Kam bërë një depozitë betoni vetë tek shtëpia dhe ujin e blej, na shkoi jeta duke mbushur bidona”.

Gjithçka ka mbetur e braktisur për këtë depo uji, e cila nuk u vu në punë asnjëherë dhe të paktën 30 familje të lagjes Baba Rexhepi vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm në qytetin e Sarandës.

Një banor thotë se “tani për tani furnizohemi një orë në 48 orë, ndoshta kjo punë do të ndreqet më mbrapa, por faktikisht kjo është. Edhe atë e marrim me pompat tona.”

Banorët e kësaj lagje prej 20 vitesh furnizohen në mënyrë alternative.

Administratori i ujësjellës-kanalizimeve Shemo Lulo, shprehet se ky është një projekt i qeverisë, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Sarandë. Sipas Lulos, këtë verë pritet që Odiseja e ujit të marrë fund.

“Investimi për të cilin flisni ju është një investim i qeverisë Shqiptare, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe SH.A. Ujësjellës Sarandë është përfituesi. Sivjet është fondi përfundimtar, i cili bën të mundur vënien në funksion të kësaj depoje. Ky investim, i cili kryhet nga Bashkia e Sarandës me mbështetjen e qeverisë Shqiptare dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit konsiston në përmirësimin dhe mundësinë e furnizimit pa ndërprerje të kësaj pjesë të qytetit, e cila është pjesë që është rritur ndjeshëm në vitet e fundit. Me përfundimin e këtij investimi do të bëhet i mundur garantimi i furnizimit me ujë edhe i pjesës që nuk kapet, sepse janë disa pjesë që duan ngritje mekanike.”

Në bashkinë e Sarandës, shefi i kabinetit Thoma Nika, të drejton tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Shefi i Kabinetit Bashkia Sarandë:  Ky investim, faza e dytë, që po thoshim, përfundon në Maj të këtij viti. Përfundon kapaciteti 200m3 është drejt fundit pra, sepse po i afrohemi majit. Faza e dytë parashikon këto gjëra linjën e furnizimit me energji, të dyja edhe të depos edhe të stacionit të pompimit, nga ku merret uji, vetë stacionin e pompimit, klorinimin e ujit.

Shefi i Kabinetit Bashkia Sarandë: Këto janë dhe është investim i FSHZH, s’është i bashkisë, domethënë në kllapa është i qeverisë.

Gazetarja e Stop iu drejtua edhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili në një përgjigje zyrtare thotë: “FSHZH është kontraktuar për projektin Ujësjellësi i Sarandës, rikonstruksion i brendshëm i ujësjellësit në lagjen 4, Baba Rexhepi dhe Lugu i Dardhës, faza e parë e të cilit përfundoi në datë 20 Korrik 2015. Kolaudimi i veprës përfundoi pak muaj më vonë, pas disa riparimeve në punimet e kryera. Me çeljen e fondit prej 19 milionë lekësh me TVSH, në Korrik të vitit 2018, filloi faza e dytë e projektit “Ndërtimi i stacionit të pompimit, Depos 50m3 dhe rrjetit elektrik TU dhe Tm për furnizimin e depos 2000 m3 të Lugut të Dardhës, Sarandë…” Jemi të angazhuar që punimet të mbyllen brenda afatit të parashikuar në kontratë, në Maj 2019.”/tvklan.al

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT