Teksa Uashingtoni zyrtar ka intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe të korruptuarve në Ballkan, sot në Tiranë pritet të mbërrijë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.
Escobar do të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë shqiptarë. Zyrtari amerikan do të takohet fillimisht rreth orës 11:00 me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Më pas, rreth orës 15:00, do të ketë një takim me Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, ndërsa në orën 17:00, do të zhvillojë edhe një takim me kryeministrin Edi Rama, pa praninë e mediave.
Fakti që diplomati Escobar do të takojë të parin kryedemokratin Basha, është edhe një mbështetje e hapur që amerikanët i japin kreut të PD-së, duke i dhënë kështu “shuplakën” e radhës Berishës. Kjo do të thotë se vizita e Escobar, dy ditë para Kuvendit të Berishës, është një mesazh i fortë për këtë të fundit. Po ashtu, mësohet se i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të lëshojë edhe një sërë mesazhesh dhe paralajmërimesh të forta për të korruptuarit, pasi sot është edhe Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.
Vizita e tij vjen dy ditë para Kuvendit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, pas shpalljes “non grata” nga SHBA dhe pas pezullimit nga grupi parlamentar i PD-së nga kryedemokrati Basha.
“Më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike.
Escobar do të takohet me kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.
Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në mesazhin e Ambasadës Amerikane.