Argjentina e Lionel Messit do të debutojë në Botëror të shtunën ku përballë do të ketë surprizën e Europianit, Islandën. Trajneri i Argjentinës ka paralajmëruar se ky do të jetë Botërori i tyre dhe se Messi do të argëtohet. Një vetëbesim i madh nga numri një i “albiceleste”, por që justifikohet pasi ka në ekip një lojtar si Messi.
“Islanda është një skuadër shumë e vështirë për t’u përballuar. Ata luajnë me shumë intensitet dhe janë të fortë në fazën mbrojtëse, do të përpiqen të na ndëshkojnë me kundërsulm. Megjithatë unë kam besim të verbër te futbollistët që drejtoj. Ne do t’u tregojmë të gjithëve në këtë Botëror se Argjentina është ende një skuadër me potencial të madh në futbollin ndërkombëtar”.
Në Argjentinë të gjithë thonë se ky do të jetë Botërori i Messit, por Sampaoli kurrësesi nuk dëshiron ta vendosë nën presion yllin e skuadrës së tij.
“E shikoj shumë mirë Messin. Është shumë i motivuar dhe me kapacitet që ka nuk besoj se do ta ndiejë presionin. Nuk mendoj se ky është Botërori i Messit ne duam vetëm që Leo të dëfrehet në fushën e lojës”.
Përsa i përket formacionit që do të zbresë në fushë ndaj Islandës, Aguero ka fituar balotazhin me Higuain dhe do të luajë në qendër të sulmit i mbështetur nga Messi e Di Maria, ndërsa në mesfushë do të luajë Meza përkrah Mascheranos e Biglias.