Kryeministja e Serbisë, Ana Bërnabiç deklaroi se Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka provokuar atë ditën e sotme, në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), të zhvilluar në Turqi.
Në një prononcim të shkurtër për gazetarët pas mbarimit të Samitit, Bërnabiç tha se Osmani u bëri thirrje vendeve pjesëmarrëse që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë atë, shkruan Tanjug.
“Pati provokime dhe unë u përgjigja shkurtimisht, sepse nga respekti për mikëpritësit nuk doja të hyja në ndonjë diskutim me të. Unë nuk kam dashur të merrem me këtë. Me atë fjalim. Ajo foli më së miri për veten e saj dhe mirësjelljen e tyre politike, domethënë për mungesën e saj. Në çdo vend ku përmendet Kosova, nuk ishte vetëm me yll, por me shënim në fund të faqes”, tha Bërnabiç.
Zyra e Presidentes, tha sot përmes një deklarate për media se në këtë samit, i cili sivjet u mbajt për herë të 25-të, presidentja Osmani do të fliste lidhur me qëndrimet e Kosovës për sa i përket bashkëpunimit rajonal, adresimit të sfidave të pandemisë, si dhe integrimit euro-atlantik.