Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në faqen e tij të “Facebook” shkruan se situata e keqe në të cilën ndodhet vendi nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte.
Sipas tij, një nga vendimet e para që Bashkimi Evropian do duhej të merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët kosovarë, ndërsa thekson se Kosova ka mbetur padrejtësisht vendi më i izoluar në Evropë.
Postimi i plotë:
“Në hapjen e Samitit të Berlinit fola për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin. Situata dhe relacionet janë në nivel të ulët, prandaj në rrethana të tilla shumë iniciativa të mira nga Procesi i Berlinit kanë mbetur pa u realizuar.
Kjo situatë e keqe nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte.
Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit, të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare.
Edhe pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme.
Por, një prej vendimeve të para që Bashkimi Evropian do duhej ta merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë.
Qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon dhe është shumë e padrejtë të vazhdojnë të diskriminohen”, shkruan Thaçi.