Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini, ka habitur me deklaratën e tij të fundit, teksa është shprehur se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Salvini, i cili njihet edhe si një ndër promovuesit më të mëdhenj të së djathtës ekstreme në Itali, ka shprehur këtë mendim pasi sipas tij, mazhoranca nuk ekziston më.
“Mazhoranca nuk ekziston më, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme”, ka deklaruar zv.kryeministri Salvini me një notë zyrtare shpërndarë për mediat.
Sipas tij, është e kotë të vazhdohet me grindje, pasi italianët kanë nevojë për qartësi e një qeveri që ja del.
“E kotë të ecim para së bashku mes grindjeve e përgjigjeve negative si ka ndodhur gjatë javëve të fundit. Italianët kanë nevojë për qartësi e një qeveri që ja del. Nuk kërkojmë poltrona apo ministra më shumë, as qeveri teknike, pas kësaj qeverie që ka bërë shumë e vetmja mundësi janë zgjedhjet e parakohshme. Të njëjtën gjë ia bëra të qartë dhe sot kryeministrit Konte.
Nuk ka më mazhorancë siç e dëshmoi votimi mbi TAV e fyerjet ndaj meje e Lidhjes nga “aleatët” tanë qeverisës, prandaj ja japim fjalën zgjedhësve. Pushimet nuk janë një shkak për të humbur kohë e parlamentarët ( vetëm nëse nuk duan të humbin kolltukun) mund të kthehen në punë qysh javën që vjen siç kanë bërë miliona italianë”, thuhet në qëndrimin zyrtar të zëvendëskryeministrit e ministrit të Brendshëm Matteo Salvini.