Kandidati i PD në Korçë, Ervin Salianji, ka komentuar humbjen e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
I ftuar në emisionin ”Radari Informativ”, Salianji u shpreh se se në korrik Partia Demokratike ka zgjedhje për kryetarin e saj dhe të gjitha qëndrimet do t’i shprehë nëpërmjet votës.
Për Salianjin, kërkesa për dorëheqje të kryedemokratit Lulzim Basha, nuk mund të vijë nga persona të cilët nuk kanë bërë asnjë ditë fushatë për këtë forcë politike.
Ervin Salianji: ”Ka retorikë politike, por ka edhe fakte. Ne mendonim dhe mendoj sërish që fushata e mirë dhe ekipi më i mirë i PD-së do të tejkalonte me numër votash edhe kërcënimet. Por masiviteti i përdorimit të të gjitha aseteve, të burimeve shtetërore ka pasur një ndikim të madh në zgjedhje, sa i ka tejkaluar të gjitha.
Edhe sot mendoj që votat e PD-së dhe qytetarët shqiptarë janë masivisht më shumë për ndryshim se sa kanë votuar për PS. Edhe sot besoj që jemi shumicë, por vjedhja deformimi i vullnetit të zgjedhjeve solli këtë gjendje.
Në korrik PD ka zgjedhje për kryetarin e saj dhe të gjitha qëndrimet do t’i shprehë nëpërmjet votës. Ku është parë ndonjëherë të dalin njerëz që nuk kanë bërë një ditë fushatë të kërkojnë dorëheqjen.”