E shtunë, 24 Korrik, 2021
20.5 C
Tirana

Sa e përgatitur është Evropa për koronavirusin

Nga Ruairi Casey “Al Jazeera”

Javën e kaluar, Evropa regjistroi më pak se 50 raste të koronavirusit të ri në 7 vende, me secilin që mund ta kishte origjinën nga Kina. Tashmë janë konfirmuar më shumë se 350 raste, kryesisht në veri të Italisë, pas një shpërthimi të madh epidemik gjatë fundjavës që shkoi, dhe që ishte një zile alarmi për gjithë kontinentin.

Ndërkohë autoritetet shëndetësore dhe ekspertët debatojnë se cilat masa, nëse ka të tilla, do të ndalojnë përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Të paktën 11 njerëz kanë vdekur nga virusi në Itali, pasi qeveria ka vendosur nën karantinë totale një duzinë qytetesh në zemrën industriale dhe financiare të vendit, në Lombardi dhe Veneto, me mbylljen e shkollave, pezullimin e aktiviteteve publike, dhe ndalimin e transportit.

Por ndërkohë janë konfirmuar rastet e para në Francë, Austri, Spanjë, Greqi dhe Kroaci. Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), thotë se ka një shans të moderuar deri në të lartë, që shpërthime të koronavirusit të ngjashëm me atë në Itali, origjina e të cilit mbetet e panjohur, të ndodhin edhe diku tjetër në Evropë.

“Fakti që kemi të vdekur, dhe që po shohim kaq shumë raste në Itali, tregon se aty ka pasur një përhapje të madhe, përpara se kjo gjë të merrej vesh”, thotë Andi Tatem, ekspert në Universitetin e Sauthemptonit. Por, pavarësisht rritjes të papritur të rasteve, investime të rëndësishme të kryera nga vendet evropiane mbi shërbimin shëndetësor publik, si dhe koordinimi gjithëpërfshirës me ECDC, e kanë bërë kontinentin më rezistent ndaj shpërthimeve virale, në krahasim me pjesën më të madhe të botës, shtoi ai.

“Për shkak të alarmit të shtuar, vendet evropiane po përgatiten gjithnjë e më shumë për shkak të asaj që po ndodh në Itali. Dhe ne mund të mos shohim sërish diçka po aq të madhe sa Italia”, thekson ai. Ministrat e Shëndetësisë në Francë, Gjermani dhe Greqi, kanë sugjeruar se mund të urdhërojnë masa të rrepta të ngjashme, nëse vendet e tyre preken nga shpërthime të mëdha të rasteve me koronavirus.

Por tani për tani, autoritetet evropiane të shëndetësisë kanë bërë thirrje për një reagim  proporcionale ndaj kërcënimit të koronavirusit, dhe për një shtim të përgatitjeve në pritje të infeksioneve të mëtejshme. Franca, që deri tani ka regjistruar 17 raste dhe 2 të vdekur, ka përgatitur 108 spitale, të paktën 1 në çdo rajon, për të pranuar, izoluar dhe kujdesur për pacientët me koronavirus.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë Olivier Veran, është rritur aftësia e testimit në spitalet e Parisit dhe Marsejës, në më shumë se 1.400 raste në ditë. Ndërkohë, ministria gjermane e Shëndetësisë ka akorduar 23 milionë euro për reagimin e saj ndaj koronavirusit, dhe tha se ishte “e mirë-përgatitur” për raste të reja. Dy të tilla u raportuan të mërkurën nga media lokale në landet Vestfaisë dhe Baden-Vyrtembergut, duke e çuar totalin në 18 persona.

Por në tërësi rreziku në Gjermani mbetet i ulët, sipas Institutit Robert Koh, një agjenci kërkimore qeveritare. Të dyja vendet, kanë porositur maska ​​kirurgjikale dhe pajisje të tjera mbrojtëse për punonjësit e kujdesit shëndetësor. Ndërkohë, Zvicra ka forcuar masat në vendkalimet kufitare me Italinë fqinje.

Ministria e Brendshme, ka njoftuar se do të kryhen testime për të gjithë njerëzit, që shfaqin simptoma të ngjashme me gripin. Në Britaninë e Madhe, një numër shkollash janë mbyllur gjatë gjithë kësaj jave, nisur nga shqetësimet se nxënësit mund të kenë kontraktuar COVID-19 gjatë pushimeve të kaluara në resortet dimërore në Itali.

Por, zyrtarët e shëndetësisë kanë deklaruar se vetëm ata që shfaqin simptoma duhet të izolohen, dhe se niveli i rrezikut në vend mbetet i ulët. Aktualisht, shërbimet shëndetësore evropiane po ndjekin një strategji të kontrollit. Në praktikë, kjo nënkupton identifikimin e infeksioneve dhe gjurmimin e origjinës së tyre, në mënyrë që çdo person që ka rënë në kontakt me sëmundjen, të mund të testohet, të izolohet dhe të trajtohet sipas nevojës.

Ekspertët thonë se numri i rasteve në të gjithë kontinentin, është aktualisht i menaxhueshëm. Por mundësia e një numri të madh rastesh ende të panjohura, apo një përsëritje e asaj që ka ndodhur në Itali, mund ta vërë nën një presion serioz të gjithë infrastrukturën e kujdesit shëndetësor

Zona e Shengenit, që operon me kufij të hapur pa kontrolle pasaportash apo doganore midis 26 vendeve të saj anëtare, lejon pezullimin e përkohshëm të këtij rregulli në rrethana të jashtëzakonshme, kur është në rrezik siguria e një vendi.

Të dielën e shkuar, Austria reduktoi përkohësisht linjat hekurudhore me Italinë, ndërsa një numër pasagjerësh u testuan për koronavirusin. Por kufizimet e udhëtimit kanë qenë minimale, dhe liderët evropianë janë kundër zgjerimit të tyre.

“Ne ramë dakord t’i mbajmë kufijtë e hapur. Mbyllja e kufijve, do të ishte një masë disproporcionale dhe joefektive në këtë kohë”- deklaroi ministri italian i Shëndetësisë Roberto Speranca pas një takimi me ministrat e tjerë të shëndetësisë të zhvilluar në Romë.

Thirrjet për kontrolle më të rrepta kufitare nga disa figura të së djathtës, përfshirë Mateo Salvinin në Itali dhe Marin Lë Penin në Francë, janë injoruar. Shtimi i kufizimeve, do të kishte një efekt shkatërrues në ekonomitë lokale dhe kombëtare, që janë zhvilluar rreth udhëtimit të lirë, thonë ekspertët e shëndetit publik, duke e ndërprerë dhunshëm fluksin e zakonshëm të lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve.

Sa të marrë vetëm një shembull:Në kufirin Itali-Zvicër, kalojnë çdo ditë thuajse 70.000 njerëz, dhe duke qenë është një pikë e rëndësishme evropiane e transportit rrugor dhe hekurudhor, ajo do të zhytej në kaos, nëse do të vendoseshin kontrollet.

Izolimi i zonave specifike – si në veri të Italisë, ashtu edhe në provincën kineze Hubei – mund të jetë i efektshëm në kufizimin e përhapjes së sëmundjes, por ka më pak prova se forcimi i kufijve kombëtarë është produktiv.

Ndërkohë, një numër aktivitetet të rëndësishme tashmë janë shtyrë ose anuluar në të gjithë Evropën, përfshirë disa ndeshje në kampionatin italian Serie A, panairin e tregtisë MIDO në Milano, Kongresin Botëror të Automjeteve të Barcelonë, dhe Panairin e Dizajnit të Ndërtimit në Frankfurtit të Gjermanisë.

/TIRANA TODAY

 

 

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

SHBA do të kërkojë nga Kina t’u përmbahet “rregullave të lojës”

Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit Wendy Sherman pritet t'i bëjë të qartë Kinës në bisedimet e ardhshme, se Uashingtoni e mirëpret konkurrencën me Pekinin,...

Protesta masive në Australi, qytetarët kundër karantinës

Mijëra qytetarë australianë protestuan këtë të shtunë në disa qytete kryesore të vendit kundër karantinës totale që është vendosur në shumë zona për shkak...

Ligjvënësit amerikanë kërkojnë që Olimpiada më 2022 të mos mbahet në Pekin

Një grup i ligjvënësve amerikanë, i ka bërë thirrje Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, që të shtyjë Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022 dhe të ndërrojë...

Skandali Pegasus: Shtete që përdorën programin përgjues

Aktivistë, gazetarë dhe politikanë në të gjithë botën janë përgjuar përmes telefonit, duke ngritur shqetësimet për mosrespektimin e privatësisë dhe abuzimin me të drejtat...

Merkato/ Nedved zbulon vendimin për të ardhmen e Ronaldos

Zëvendës Presidenti i Juventusit, Pavel Nedved, ka treguar se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Kristiano Ronaldos, në skuadrën bardhezi. Pas fitores së...