Prej 15 ditësh tashmë, Rusia vijon të regjistrojë mbi 9 mijë raste të reja nga koronavirusi brenda një dite të vetme.
Në 24 orët e fundit, në Rusi janë shënuar 9,200 raste të reja, duke e çuar në 272,043 numrin total të rasteve të konfirmuara.
Rusia renditet tashmë e treta në botë me numrin më të lartë të rasteve me COVID-19, pas SHBA-ve dhe Spanjës. Por nëse edhe nesër vendi do të shënojë një numër të lartë rastesh, atëherë Rusia do ia kalojë edhe Spanjës, e cila tashmë regjistron vetëm 2 mijë e pak raste më shumë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë shënuar edhe 119 viktima, 6 më shumë se një ditë më parë. Kështu numri total i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi në Rusi ka shkuar në 2,537.
Më shumë se 63 mijë persona janë shëruar në Rusi, ndërsa mbi 206 mijë raste janë ende aktive. Prej këtyre, 2.300 pacientë ndodhen në gjendje kritike për jetën.
COVID-19 ka prekur më shumë se 4,6 milionë njerëz nga e gjithë bota, ndërsa i ka marrë jetën mbi 309 mijë personave.