Kremlini e quajti ndërhyrje në zgjedhje kundërshtimin amerikan ndaj një kandidati rus për të udhëhequr grupin e policisë globale Interpol.
Zgjedhja e një drejtuesi të ri është caktuar për të mërkurën në përfundim të konferencës vjetore të Interpolit në Dubai.
Katër senatorë amerikanë publikuan të hënën një letër të hapur, ku i kërkonin Presidentit Donald Trump të kundërshtonte kandidaturën e rusit Aleksandër Prokopçuk, zëvendëspresident i tanishëm i Interpolit.
Senatorët shkruajnë se Prokopçuk është “i përfshirë personalisht” në atë që në letër cilësohet si rutinë ruse e “abuzimeve me Interpolin për hakmarrje ose përngacmimin e kundërshtarëve politikë, disidentëve dhe gazetarëve”.
Në përgjigje të kritikave ndaj Prokopçukut, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se “kjo është ndoshta një lloj ndërhyrjeje në procesin zgjedhor të një organizate ndërkombëtare”.
Në një zhvillim tjetër, Kosova nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtare e Interpolit gjatë votimit sot në Dubai dhe ne do të kemi më tepër hollësi menjëherë pas lajmeve.