Rusi, gjykata dënon me 2 muaj burg vëllain e Navalny dhe mbështetësit e tij

Një gjykatë në Moskë ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për dy muaj ndaj vëllait të Aleksei Navalnyt dhe disa ndihmësve të tij, teksa autoritetet po mundohen të prishin planet për protesta mbarëkombëtare gjatë fundjavës, lidhur me trajtimin e liderit opozitar.

Navalny, një kritik i Kremlinit, gjendet në burg, pasi u arrestua në një aeroport të Moskës menjëherë pasi arriti nga Gjermania.

Vendimi i fundit ndaj bashkëpunëtorëve të Navalnyt më 29 janar, vjen pasi policia në Moskë ka njoftuar se planifikon të kufizojë lëvizjet në kryeqytetin rus dhe të mbyllë shtatë qendra të metrosë, me qëllim që të përgatitet për protesta të paautorizuara dhe që sipas autoriteteve janë të ndëshkueshme.

Navalny dhe bashkëpunëtorët e tij kanë planifikuar protesta më 31 janar, pas mbajtjes së protestave fundjavën e kaluar në dhjetëra qytete të Rusisë. Në protestat e javës së kaluar, pothuajse 4,000 protestues u arrestuan.