Javën e kaluar, në Këshillin Politik u firmos dokumenti që u quajt si marrëveshje e Reformës Zgjedhore. Në një intervistë në emisionin Përballë në RTSH, përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik, Rudina Hajdari, sqaroi se marrëveshjen do ta firmoste me kënaqësi, por atë dokument të Këshillit Politik nuk e voton sepse nuk është një reformë.
“Nëse do të vijë një reformë në Parlament, e cila përfshin po ashtu dhe ndryshimin e sistemit, minimumi listat e hapura, atëherë patjetër që do ta votoja pro. Por nëse ne jemi në kushtet që kemi një marrëveshje e cila nuk quhet reformë, pra nuk ka se si të jetë e gjithëplotësuar.
Ka disa elementë të cilët unë i kam mbështetur prej fillimit, siç është identifikimi biometrik, që është i rëndësishëm por nuk është i plotë, pjesa tjetër qoftë dhe administrimi i zgjedhjeve kemi ngelur në vend numëro. Ç’ka do të thotë për mua kjo marrëveshje nuk është që arriti ndonjë gjë masive, përkundrazi tregoi që palët janë të pamundura për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe për ti orientuar këtë reformë, këtë marrëveshje benefitet që mund të kenë njerëzit gjatë zgjedhjeve”, tha deputetja.