Editorial - Opinione

“Rrugëtimi vazhdon”, si e njoha unë Fatos Baxhakun

               Publikuar në : 12:05 - 17/08/19 M. S

Nga: Andrea Danglli 

“Studentë, ky është Tos Baxhaku, gazetari që ka shkelur mbi çdo gur të trojeve shqiptare për ta sjellë atë në kutinë e televizorit apo mbi faqet e gazetës. Është fat për ju pasi nga sot me të do të zhvilloni lëndën Komunikim në Masmedia. Sa shumë bëma do mësoni prej tij…”, kështu na u drejtua profesor Andon Andoni teksa na prezantonte pedagogun e ri atë ditë të zymtë tetori.

Duke i njohur mirë natyrën e kalitur prej shkrimtari, prezantimi që i bëri z.Andoni mikut të tij tingëllonte disi grotesk në atë auditor që deri në atë moment pedagogët e denjë i numëronte veç me gjysmat e gishtërinjve të njërës dorë. Asnjë më tepër!

“Gazetar i madh ai? Posi more, thjesht ndonjë pensionist që i ka ngelur si kusur redaksive dhe tani po na i ngecin në universitet si bakshish”, -konstatonin një pjesë e studentëve që pak apo aspak kishin dëgjuar për të. Më keq akoma, ata që se njihnin fare e morën për mjeran pasi gazetaria nga bankat e shkollës shpesh shihet si një profesion që të sjell të ardhura kolosale dhe jo një zanat që të le me një palë syze druri, pantallona të zbardhura nga dielli, zandale lecke, orë të thjeshtë dore, ah dhe një xhakoventë të zakonshme që mund t’ia shohësh të veshur edhe banorit në fshatin më të thellë.

“Uii ça presori ore! Gazetar pa kollare sikur nuk shkon plako, e ç’mësim mund të na japë ky tipi apo të ngelemi rrypa?!”, -dëgjoja heshtazi dialogë studentësh mbrapa kurrizit teksa sytë e kureshtjes ja kishim hedhur veshjes së tij modeste.

Për ne që atëherë nuk i njihnin edhe aq mirë mekanizmat mediatikë, gazetarë të vërtetë quheshin veç ata që grindeshin te Top Story i Sokol Ballës, “hanin kokat” te Opinioni i Blendi Fevziut, kakarisnin në ndonjë tryezë për seksin apo klithnin në qoshe emisionesh të shndërruara në punishte qokash. Ata ishin shembujt që reflektonin për ne rrugën ku duhet të hidhnim hapat drejt asaj që kishim zgjedhur të bënim në jetë. Baxhaku ishte larg, shumë larg tyre.

Brezi i gjeneratës së re të studentëve që po fillonte të përtonte të ëndërronte për shkak të performancës së dobët të pjesës dërrmuese të stafit pedagogjik, atë ditë për çudi nuk mund ta portretizonte të nesërmen profesionale te një gazetar si Tosi që ka prekur çdo vis shqipfolës dhe është ulur këmbëkryq në çdo vatër që i hapi dyert. Ai qëndronte para nesh me një buzëqeshje të lehtë mbi fytyrë, me flokët e zbehur dhe me tonin e lehtë që ja bënte edhe më intriguese rrëfimet.

Herë pas here ngrinte syzet e drunjta dhe për çudinë tonë pyeste për fshatin, qytetin, lumin, lagjen dhe gurin e çdo katundi nga vinim.

“Ç’t’i duhet vallë të dijë për rrënjët e hershme të familjes sime në Menkulas të Devollit. Pse s’më pyet për Korçën, për Durrësin, për Tiranën?”- pyesja veten mes dhjetëra mendimesh të fanitura në kokë, teksa  i përshkruaja disa nga virtytet e mrekullueshme të krahinës. Krahas barsoletave të famshme me disa njerëz komikë si në çdo vend, ai njihte hollësisht punën e madhe që bëhej, dinte detaje mbi bimët, kafshët dhe arkeologjinë e zonës të cilat jo çdo kush mund t’i njohë aq detaisht.

Burri fjalë pak me mustaqe të stiluara kujdesshëm, atë ditë nuk foli gjerë e gjatë. Përpos emrit, nuk na tha se ishte një nga pionieret e shtypit të lirë në fillim të demokracisë, s’e përmendi që kishte sjellë qindra reportazhe në televizion dhe gazetë, nuk rrëfehu që kishte realizuar dhjetëra dokumentarë në çdo skaj të vendit, nuk u mburr që kishte drejtuar disa nga mediat kryesore për shumë vite, nuk u krenua që kishte shkruar disa libra të cilat do t’i ngelen si testament i çmuar kulturës shqiptare.

Ai nuk tha asgjë nga këto, ndaj brezit tonë ju duk si një burrë i motshëm që veç dinte të dëgjonte përpara se të fliste, si edhe të rrëfente bukur historitë. Në orën e dytë të profesor Baxhakut, gjatë apelit kishte disa mungesa, në orën e tretë disi më pak dhe deri në fund të semestrit nuk mungoi askush pasi ne shpresëthyerit rinisëm të ëndërrojmë. Kjo vinte edhe për faktin se ai nuk na drejtohej si profesor, nuk na fliste si prind dhe as si gazetar i madh, por ngriti ura komunikimi si të ishim kolegët e tij që ndanim bashkarisht kompjuterin, cigaret dhe byreqet me dhallë.

Kur na frymëzoi që bashkë me një grup studentësh të ngrinim një gazetë të vogël të quajtur “Student Times”, sërish nuk besuam se ato pak faqe, me pak ngjyra dhe me pak cilësi, do të sillnin një ndër marrëdhëniet më të bukura profesionale.

Më vjen vrullshëm në kujtesë momenti kur teksa e shfletonte mbi duar prurjen tonë, lëshonte ndonjë fjalë pozitive apo inkurajuese pa harruar dozat e kritikave të cilat kujdesej t’i thoshte në vendin dhe kohën e duhur. Ajo që më ka ngelur në mendje nga ato ditë ëndrrash është përgjigja që i dha një studenti i cili në komentin e tij ironizoi pagjumësinë time duke thënë se nuk ja vlente të sakrifikosh për disa copa letrash pasi nuk je kryeredaktor i BBC, Financial Times apo The Economist.

Profesori e dëgjoi me vëmendje deri në fund, hoqi vështrimin nga gazeta dhe i tha:

“Të pagjumit e sotëm do të jenë të fjeturit e nesërm! Të fjeturit e sotëm do të jenë të pagjumit e nesërm. Ndaj punoni që mos ju mbajë zgjuar injoranca! Le që gazetarët e vërtetë nuk kanë gjumë!”, -ju drejtua Baxhaku me një qetësi olimpike duke i heshtur diskutimet e nisura.

Këtë ndodhi, ma përmendte shpesh kur na qëllonte të takoheshim pranë lokalit “Friends Book House” duke më dhënë zemër për të ecur përpara. Është një ndër shprehjet që i troket vazhdimisht kujtesës sime sa herë akrepat e punës para kompjuterit kalojnë mesnatën.

Sot, teksa si nuk merr më frymë shfletova një bllok të vjetër leksionesh, ku në kapak përveç kësaj thënie kisha shënuar me një shkrim të keq edhe disa të tjera:

“-Gazetari duhet të jetë gjithmonë kureshtar!

-Gazetari duhet të dijë si ta thotë gjithnjë të vërtetën që ka zbuluar pasi fjalët kanë më shumë fuqi se sa bombat më shpërthyese.

-Gazetari nuk ka pushime, ai është gjatë gjithë kohës në punë. Madje edhe kur lexon letrën e një kaushi farash mund të nxjerrë një material.

-Asnjëherë mos i bëni bisht vullnetarizmit, deri sa të kaliteni mirë edhe nëse rrini në një redaksi lajmesh si i papunë, prap do t’ju bëjë mirë”.

Nëse do të bëjmë një anketim të shkurtër me studentët e atij brezi, jam i bindur që Baxhakun do ta listojnë në krye edhe pse ai ishte një pedagog i jashtëm, edhe pse i dhanë një lëndë modeste me pak kreditë, edhe pse vinte me autobus dhe jo me makinë luksoze nga Tirana, edhe pse nuk mungoi asnjë ditë, edhe pse nuk dilte shpesh nëpër ekrane për të ekspozuar punën e tij, edhe pse… nuk mori asnjë qindarkë për të gjithë mësimdhënien.

Falëminderit për gjithçka mjeshtër! Edhe pse ti shpesh shprehje bindjen se unë kisha penë të mirë, sot e pata shumë të vështirë të shkruaj këto rreshta të kobshme për këtë ikje të shpejtë që më ka goditur perceptimin për jetën dhe më ka qartësuat atë për profesionin.

U prehsh në paqe profesor! I lehtë qofte dheu i tokës që aq shumë e deshe mbi trupin tënd i cili tashmë do të çlodhet përjetësisht nën tokë ndërsa shpirti do të fluturojë sërish lart Shqipërisë sonë për të vazhduar udhën e nisur. Rrugëtimi vazhdon!

 

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT