Editorial - Opinione

Rreziqet që vijnë nga vonesa e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE

               Publikuar në : 15:17 - 13/04/19 S.N

Nga Aleksandar Ivkoviç, “European Western Balkans”

Shtyrja e hapjes së negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mungesa e vullnetit për liberalizimin e vizave me Kosovën, dhe përsëritja e mesazheve se rruga e Serbisë në BE, mund të zgjasë shumë më shumë sesa shpreson Beogradi – të gjitha këto e karakterizuan qëndrimin e BE përkundrejt Ballkanit Perëndimor gjatë vitit të shkuar.

Ndërsa Strategjia e Zgjerimit, e bërë publike në shkurtin e 2018-ës, përhapi optimizëm në të gjithë rajonin, deklaratat e fundit që vijnë nga Franca, tregojnë se tendenca dekurajuese për mbështetësit e anëtarësimit të rajonit të BE-së, mund të mos të ketë përfunduar.

Ka pasur shumë zëra se presidenti francez, Emanuel Makron, mund të mos mbajë premtimin e tij të vitit 2018, dhe të mbështesë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në muajin qershor, pasi të kenë përfunduar zgjedhjet e Parlamentit Europian. Ose kështu beson  bashkëpunëtori i Këshillit të Politikave Demokratizuese, Bodo Veber .

Megjithëse ai personalisht pret që Maqedonia të çelë këtë vit negociatat (ndërsa mbetet i rezervuar për Shqipërinë, ku situata është më e ndërlikuar, për shkak të krizës politike), Veber thekson gjithashtu rreziqet e një skenari të kundërt.

“Shtyrja e vendimit në vitin 2018, e ka komplikuar tashmë procesin e Marrëveshjes së Prespës, dhe e ka dëmtuar demokracinë dhe sundimin e ligjit në Maqedoni. Një vonesë tjetër e Brukselit, mund të jetë e papërballueshme,”– thekson eksperti. Ai përmend me këtë rast shembullin e Kosovës.

Pavarësisht se ka përmbushur të gjitha kërkesat për një regjim pa viza – që tashmë e kanë përfituar vende si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia – asaj i mohohet kjo e drejtë nga Këshilli i Ministrave të BE-që, që ka vendosur të mos respektojë rekomandimet e Komisionit Evropian.

“Ky është një turp për Bashkimin Evropian, dhe një goditje e madhe për besueshmërinë e BE-së në Kosovë”- thotë Veber .Vlerësimi i tij, është në përputhje me qëndrimin e fundit të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj , që pavarësisht nga një presion i vazhdueshëm diplomatik nga anëtarët kryesorë të BE, nuk ka anuluar tarifat e reja për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, të vendosura në fund të nëntorit 2018.

Veber nuk është i vetëm në paralajmërimin e tij. Profesori i asociuar i Universitetit të Peloponezit në Greqi, Nikolaos Cifakis, thotë se Bashkimi Evropian mund të komprometojë veten, në qoftë se nuk arrin të njohë meritat aty ku duhet.

“Nëse BE nuk shpërblen përpjekjet e Maqedonisë së Veriut, do të humbasë shumë besueshmërinë e saj në rajon, dhe do të dërgojë mesazhin e gabuar, si për qeveritarët e orientuar drejt reformave, ashtu edhe për autoritarët në Ballkanin Perëndimor,”– thotë Cifakis, teksa kujton se situata këtë vit, është tashmë më e ndërlikuar sesa në vitin 2018, për shkak të zgjedhjeve parlamentare evropiane.

Ai shton se Brukseli nuk duhet ta keqësojë situatën, duke përsëritur ngjarjet e vitit të kaluar, pasi tek e fundit bëhet fjalë për hapjen, dhe jo mbylljen e bisedimeve. “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë normalisht nevojë për 8 vjet të tjera, që të arrijnë momentin e anëtarësimit në BE. Prandaj, Bashkimi Evropian ka kohë të mjaftueshme për të zgjidhur problemet e saj, para pranimit të këtyre dy vendeve,”– thekson Cifakis .

Që vendimet e pritshme nga BE, nuk janë po aq të rëndësishme sa për shembull zgjerimi i madh  i vitit 2004, mund të shihet edhe tek shembulli i Serbisë. Edhe pse Strategjia e Zgjerimit, thotë se vetëm Serbia dhe Mali i Zi mund t’i bashkohen unionit më 2025-ën, në debatin e fundit ky afat u vu në pikëpyetje nga kandidatët francezë për në Parlamentin Evropian, ku shumica kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj hyrjes së Serbisë në BE.

Ky mesazh, i dërguar nga gati të gjitha partitë politike franceze, duke përfshirë edhe partinë e presidentit Markon, tregon se procesi i pranimit të vendit mund të keqpërdoret për qëllime politike, mendon Sekretarja e Përgjithshme e Lëvizjes Evropiane në Serbi, Suzana Grubjesiç.

Kjo deklaratë, ishte në përputhje me politikën e presidentit Makron, të “reformimit të brendshëm përpara zgjerimit”, i prezantuar për herë të parë gjatë Samitit të Sofjes në vitin 2018.

Megjithatë, Grubjesiç kujton se dilema midis thellimit dhe zgjerimit të integrimit evropian, është e vjetër, dhe sipas saj e rreme. Edhe Veber, bie dakord se kjo dilemë është gjithçka, por jo e re, sepse i njëjti argument është përdorur nga BE, që nga fillimi i krizës financiare, dhe lodhja nga  zgjerimi në vitin 2009.

“Në fakt, BE-ja nuk e ka luksin të zgjedhë njërën ndaj tjetrës, ajo duhet të vazhdojë me të dyja paralelisht”– thotë Veber. Një mënyrë tjetër, për ta interpretuar mungesën e entuziazmit për çdo vendim që do t’i sillte një hap më pranë unionit vendet e Ballkanit Perëndimor, është situata e brendshme politike në disa vende, shton Veber.

“Kjo është veçanërisht e vërtetë për Holandën dhe Danimarkën, e cila gjithashtu votoi kundër hapjes së negociatave në vitin 2018, pasojë e presionit që partitë në pushtet, kanë pësuar nga populistët,”– shpjegon ai.

Sipas sondazhit më të ri të Eurobarometrit, vetëm 43 për qind e qytetarëve të BE-së e mbështesin zgjerimin, ndërkohë 45 për qind e kundërshtojnë atë. Ndërkohë, mbështetja për anëtarësimin në BE në vendet e Ballkanit Perëndimor është ende relativisht e lartë, por kjo mund të ndryshojë. Në Serbinë vitin 2009, 73 për qind e të anketuarve ishin pro anëtarësimit në BE, ndërsa sot mbështetja ka rënë në 55 për qind./ Përktheu për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT