Kryesore

Rreziku i vendosjes së vizave, ose kur shqiptari për shqiptarin është ujk

               Publikuar në : 11:40 - 18/04/19 S.N

“O Zot, shpëtoje Shqipërinë nga shqiptarët!”– do të lutej dikur Faik Konica, një nga mendjet më brilante të kombit. Për të shtuar, po i dëshpëruar: Shqiptari për shqiptarin është ujk e shkuar ujkut! Këto fjalë të vijnë ndërmend, pas lajmit se parlamenti holandez votoi në shumicë, për të rikthyer regjimin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Qeveria holandeze dhe vetë BE, e kanë bërë të qartë se nuk do e marrin parasysh këtë votim. Megjithatë një akt i tillë nxjerr në pah përgjegjësinë që ka në këtë imazh negativ të vendit në Perëndim, qeveria, opozita dhe një pjesë e vogël e shqiptarëve të angazhuar në veprimtari kriminale, në dëm të qindra mijëra shqiptarëve të thjeshtë e të ndershëm.

Një vendim i tillë, vjen pas kanabizimit të madh, që përjetoi vendi në vitet 2015-2017, ku qeveria ka padyshim përgjegjësinë e saj. Për pjesën tjetër, ka menduar opozita.

Lulzim Basha, akuzohet se e ka mikeshë kryetaren e partisë populiste holandeze, që e ndërmori këtë nismë. Kjo mund të jetë thjesht një akuzë politike. Por kur mendon se politikanët shqiptarë paguajnë qindra mijëra dollarë për të lobuar në SHBA, apo se PD është aktualisht e dëshpëruar për mbështetje në protestat e saj, atëherë gjithçka është e mundur.

Në Shqipëri, lufta e egër politike nuk njeh parime. Politikanët sa herë janë në opozitë, e nxijnë shpesh kundërshtarin, por ç’është më rëndë imazhin e Shqipërisë, në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Këtë ka bërë Edi Rama dikur, këtë po bën edhe Lulzim Basha dhe të tijtë sot. Politikanët kanë zakonisht pasaporta diplomatike.

Do jenë sërish shqiptarët e thjeshtë, ata që mund të penalizohen, nga çdo lloj zhvillimi i mundshëm negativ në lidhje me vizat./ Tirana Today

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT