Deri para pak ditësh Inter dhe Real Madrid kishin raporte të shkëlqyera mes tyre, por tani madrilenët kanë dërguar një denoncim në FIFA për zikaltërit. E gjithë kjo për Luka Modric, pasi Perez nuk ka dashur kurrsesi të humbë kroatin edhe pse dëshira e lojtarit ishte të luante në Milano.
Drejtuesit madrilenë kanë akuzuar Interin për kontakte me lojtarin, pasi ky i fundit ishte akoma në kontratë me klubin merengues. Por nuk ka vonuar dhe ka ardhur edhe përgjigjja e Interit: “Theksojmë se e kemi marrë lajmërimin nga FIFA dhe gjithashtu deklarojmë me bindje se nuk kemi kontaktuar në asnjë rast me Luka Modric dhe nuk kemi thyer asnjë rregullore të FIFA-s.”
Rregullorja e FIFA-s është e qartë dhe asnjë ekip nuk ka të drejtë të kontaktojë drejtpërdrejt me lojtarin, nëse ai është në kontratë me një klub. Real Madrid ka dërguar akuzën në institucionin më të lartë të futbollit, por këta të fundit deri tani vetëm kanë paralajmëruar Interin dhe nuk kanë nisur hetim. Nëse vërtetohet fajësia e Interit rrezikohet nga një deri në dy faza pa merkato në hyrje për klubin, gjithmonë nëse FIFA do nisë ndonjë hetim për këtë çështje.