Në emisionin “Opinion” sonte u bënë të tjera thirrje dhe u mblodhën ndihma për të ndihmuar familjet në nevojë, raste që i solli fondacioni “Fundjavë Ndryshe”. Duhet theksuar se rasti më ekstrem ishte i 6 motrave jetime nga Kukësi që së shpejti do bëhen me shtëpi të re dhe do ndjekin shkollën si bashkëmoshataret e tyre. Kujdestarinë e tyre do ta marrë vëllai i madh që kanë nga babai.
Në pjesën e trete të emisionit u prezantuan tri raste që “Opinion” dhe “Fundjavë Ndryshe” kanë publikuar më parë për ndihmë. Të tria familjet janë ndihmuar nga shqiptarët me kontributet që kanë dhënë tek “Fundjavë Ndryshe”.
Familja që evidentoi fondacioni “Fundjavë Ndryshe” përbëhet nga shtatë persona në Thanasaj të Lushnjës e cila jetonte në kushte mjaftë të vështira. Kryefamiljari Dritan Bicaku tregonte se është i sëmurë por dhe të tjerët nuk e marrin në punë. Kjo familje u bë me shtëpi të re dhe të bukur.
Muaj më parë në emisionin “Stop”, drejtori i fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari prezantoi kushtet shumë të vështira të kësaj familje. Në atë kohë, kryefamiljari Ferit Sorra vuante nga kanceri në mushkëri, ndërkohë që nuk përfitonte as KEMP. Familja Sorra merrte vetëm 60 mijë lekë në muaj, ndërsa 37 mijë lekë paguan vetëm faturat e energjisë elektrike.Kjo familje jetonte në një banesë që rrezikonte të shembej nga dita në ditë. Me publikimin e rastit të kësaj familje, Balfin Group me drejtues Samir Mane, shprehën gatishmërinë për t’i ndërtuar shtëpinë e re.
Ditët e para pasi “Fundjavë Ndryshe” shembi shtëpinë e vjetër dhe nisëm një të re, babai i sëmurë ndërroj jetë, duke lënë pas 3 fëmijët e tij të vegjël dhe bashkëshorten.Humbja ishte shumë e madhe për fëmijët, por gëzoheshin çdo ditë nga pak kur shihnin se si ndërtohej shtëpia e tyre e re dhe se njerëzit nuk e kishin lënë vetëm.
“Fundjavë Ndryshe” me ndihmën e madhe të Balfin Group me drejtues Samir Mane dhe emisionit “Stop” mundën t’i lehtësonin sadopak dhimbjen e madhe duke i ndërtuar një shtëpi të re dhe gjithashtu një pension afatgjatë.