“Robinson Kruzoi” italiani që jetoi i vetëm për 32 vite në ishullin e pabanuar

Mauro Morandi, apo siç njihet ndryshe “Robinson Kruzoi italian”. Mauro Morandi kishte një jetë komode si mësues palestre në Modena të Italisë, para se ndjenja e tij e aventurës ta çonte në det në vitin 1989. Por kur ekspedita e tij dështoi duke e detyruar të zbarkoi në ishullin e largët Budeli pranë bregdetit të ishullit të Sardenjës, ai vendosi të bëhet kujdestari i ishullit të shkretë, dhe që atëherë ka jetuar vullnetarisht vetëm atje.

Por tani heremiti 81-vjeçar është dëbuar nga ishulli,pasi zyrtarët planifikojnë që ta shndërrojnë zonën në një observator mjedisor. Që nga zbarkimi i tij në këtë ishull, Mauro Morandi është quajtur “Robinson Kruzoi i Italisë”, megjithëse ai nuk është i braktisur nga të tjerët, përkundrazi ka zgjedhur enkas të jetojë vetëm.

Por edhe kjo fazë e jetës së tij po merr fund. “Unë kam hequr dorë nga rezistenca. Pas 32 vitesh këtu, ndihem shumë i trishtuar që u largova. Ata më thanë se duhet të bënin disa punime në shtëpinë time, dhe këtë herë duket se do të ndodhë vërtet”-shkroi Morandi në një postim në Facebook.

Para se të niste këtë aventurë, Mauro Morandi jetonte në Modena, në Italinë qendrore, ku i kalonte ditët e tij si mësues i edukimit fizik. Ai ishte 49 vjeç kur la punën dhe u nis për një udhëtim vetëm në një barkë të vogël me vela në Paqësorin Jugor.

Por Morandi nuk ishte larguar ende nga Mesdheu kur motorri i barkës së tij u prish. Ai u drejtua për në ishullin Budelli, me një sipërfaqe 1.6 km2 i banuar vetëm nga kafshët e egra dhe një kujdestar i vetmuar që e përshëndeti Morandin kur zbarkoi në breg.

Pak më vonë, të dy shkëmbyen detyrat dhe Morandi u zhvendos në ish-godinën e kujdestarit, që ka qenë një vend-strehim gjatë Luftës së Dytë Botërore. Morandi e ka mbajtur pastër ishullin dhe ka mbrojtur koralet rozë të Budelit të rrezikuara.

Me kalimin e viteve, Morandi ndjeu një përgjegjësi në mbrojtjen e ishullit. “Dje përzura dy turistë që po ndotnin plazhin. Pastaj pastrova mbeturinat nga rëra dhe i ndalova të huajt të vinin këtu. E vërteta është se unë jam i vetmi deri tani që jam kujdesur për Budelin, duke kryer detyrën e mbikëqyrësit të cilën duhet të bëjnë autoritetet shtetërore”- deklaroi ai vitin e kaluar në një intervistë për mediat.

Në vitin vitin 2015, ishulli u bë pjesë e Parkut Kombëtar “La Maddalena”të Sardenjës. Në kushtet kur ishulli ishte në pronësi publike, roli i Morandit mbaroi aty. Parku Kombëtar La Maddalena aktualisht ka në plan ta shndërrojë ishullin në një qendër për vëzhgimin dhe edukimin mjedisor.

Edhe pse Morandi negocioi me zyrtarët e parkut për të vijuar qëndrimin aty, autoritetet këmbëngulën se ai nuk kishte asnjë të drejtë ligjore të banonte atje.“Gjithçka që kërkoj tani është nëse mund të më dërgojnë gjatë punëve të rinovimit, në mënyrë që të mund të rikthehem pas dhe të vazhdoj të bëj atë që bëj çdo ditë:të ruaj plazhin e rrezikuar të koraleve rozë, të mbaj larg turistët, dhe të mbroj natyrës. Kam frikë se nëse iki, ky do të jetë edhe fundi i Budelit”- thotë ai.

Por presidenti i parkut “La Maddalena”, Fabricio Fonesu, thotë se roli i Morandit si kujdestar nën këtë pronësi të re nuk do të thotë asgjë. “Askush nuk dëshiron që ta dëbojë. Po për çfarë i duhet ky status në kushtet kur ishulli nuk është më privat?”- pyet ai.

Zyrtarët shtojnë se Morandi e ndryshoi pa leje banese pikën ushtarake të vëzhgimit që i përket Luftës së Dytë Botërore. Ndaj,në vitin 2020 autoritetet lokale thanëse nuk kishin zgjidhje tjetër përveç se “të ndërhynin për të prishur të gjitha ndërtimet e paligjshme brenda parkut”, dhe kjo përfshiu edhe shtëpinë modeste të Morandit.

Gjithsesi, ndërsa beteja për dëbimin e Morandit u përshkallëzuar, po kështu ndodhi edhe me rritjen e përkrahjes së publikut për të. Kjo nisi me një peticion në internet, që i nxiti zyrtarët ta linin të qëndronte në ishull, dhe që mori më shumë se 72.000 firma.

“Unë jam gati të bëj gjithçka që mundem për të qëndruar këtu, edhe nëse kjo do të thotë që ata do të detyrohet të më marrin zvarrë për të më larguar. Unë nuk do të dija seku të shkoja të jetoja. Nuk kam ndërmend të kthehem në shtëpi në veri të vendit, dhe as kam çfarë të bëj atje, kjo është jeta ime tani. Thjesht nuk e shoh veten duke luajtur letra në lagje”- deklaroi ai vitin e kaluar.

Por që nga ajo kohë gjërat kanë ndryshuar. Fonesu dhe zyrtarët e tij ia kanë bërë të qartë Morandit se koha e qëndrimit të tij në ishull ka mbaruar. Kësisoj, Morandi ka njoftuar në një postim në Facebook largimin e tij zyrtar nga ishulli.

Për fat të mirë, ai nuk po shkon shumë larg, pasi ka vendosur të qëndrojë në ishullin e afërt të Parkut“La Maddalena”. “Unë do të jetoj në periferi të qytetit kryesor… Jeta ime nuk do të ndryshojë shumë. Do të shoh akoma detin. Unë po largohem me shpresë se në të ardhmen Budeli do të mbrohet ashtu siç e kam mbrojtur për 32 vjet”- thotë Morandi.

Burimi i lajmit: https://allthatsinteresting.com/mauro-morandi

Përshtatur nga TIRANA TODAY