Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla është shprehur se Shqipëria i ka përmbushur detyrat për të hapur negociatat për integrimin në BE.
Sa i përket rikthimit të vizave, Balla, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, zhvilluar në Fakultetin e Drejtësisë, theksoi se ka zero shanse që Shqipërisë t’i rikthehet regjimi i vizave.
“Ne jemi gati ta japim provimin në qershor dhe provimi jepet mbi bazën e një vlerësimi që bën termometri i Komisionit Evropian. Sipas raportit të vlerësimit Shqipëria i ka përmbushur detyrat për të hapur negociatat. Sa të mbarojnë zgjedhjet e 26 majit për Parlamentin Evropian dhe sa kohë që ka një rritje të partive populiste, të cilat kondicionojnë qasjen e tyre me pengimin ndaj zgjerimit ka dhe vende si Holanda. Ka zero shanse që Shqipërisë t’i vihen vizat. Vetë qeveria Holandeze nuk është dakord me iniciativën e një deputeteje ekstremiste, ndërkohë që nuk është vetëm Holanda që merr vendimet brenda BE-së”, deklaroi Balla.