Rezoluta e PE/ Kryeministrja serbe: Për ne, Kosova nuk është e pavaruar

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç ka reaguar në lidhje me rezolutën  e Parlamentit Evropian për Serbinë, që u miratua javën e kaluar. Ajo u shpreh se kur bëhet fjalë për Kosovën, raporti qëndron përtej të vërtetës, pasi Serbia nuk e njeh si shtet të pavarur.

“Komisioni Evropian nuk qëndron pas kësaj rezolute. Është disi një ngushëllim dhe shpresë për mua sepse KE duhet të jetë neutral ndaj statusit, duke marrë parasysh se ka edhe pesë anëtarë të tjerë që nuk e njohin shtetin e paligjshëm të Kosovës.”, tha ajo në Tv Happy.

Gjithashtu, ajo është shprehur se mënyra sesi e kanë menaxhuar pandeminë, i çonë më afër vlerave evropiane.

“Sistemi i vlerave të Presidentit Aleksandër Vuçiç dhe Qeverisë së Serbisë i përket shumë më shumë vlerave evropiane, të cilat ne i kemi treguar duke vaksinuar qytetarë nga rajoni, sesa që këto vlera evropiane ndahen dhe mbështeten nga deputetët e Evropës që votuan për këtë rezolutë”, theksoi Bërnabiç.