Pas tërmetit të fuqishëm prej 6.4 ballësh që goditi vendin mëngjesin e së martës, procesi mësimor në universitete dhe në sistemin parauniversitar u pezullua.
E kur kanë kaluar 4 ditë nga ngjarja në fjalë, akoma nuk ka pasur asnjë njoftim në lidhje me faktin se kur do rinisë procesi mësimor.
Por duket se këtë heshtje e theu, rektori Mynyr Koni i cili ka lëshuar një urdhër për pezullimin e zhvillimit të mësimit deri më datë 6 dhjetor.
Në urdhrin e tij thuhet se vendimi është marrë për garantimin e sigurisë teknike të ambienteve ku zhvillohet mësim.
“Në vijim të Urdhrit nr.21, datë 26.11.2019, duke ndjekur me shumë shqetësim dhe me shumë vëmendje situatën aktuale, tepër të rënduar edhe nga ana psikologjike, deri në qetësimin e saj dhe garantimin e sigurisë teknike të ambienteve në të cilat zhvillohet procesi mësimor dhe më gjerë, në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Tiranës, urdhëroj pezullimin e procesit mësimor deri në datën 6 Dhjetor 2019”, thuhet në vendimin e firmosur nga rektori Mynyr Koni.