Tekniku i Kombëtares, Edi Reja ka folur pas ndeshjes miqësore me Uellsin, e cila u mbyll në barazim pa gola, 0-0.
Reja e vlerësi lojën e skuadrës sonë në përgjithësi, teksa theksoi se në pjesën e parë ekipi luajti mirë, por vuajti në sulm.
Duke analizuar pjesën e dytë, tekniku 75-vjeçar deklaroi se Uellsi bëri presing, dhe se Shqipëria duhet të ishte më e aftë në kundërsulm.
Edi Reja: ”Më pëlqeu shumë sjellja e skuadrës. Erdhëm këtu me një dëshirë të madhe për të treguar aspektin karakterial. Vuajtëm në pjesën e dytë, sepse ata futën një sulmues të fortë fizikisht dhe luajtën me topa të gjatë. Në pjesën e parë luajtëm mirë, por vuajtëm pak në sulm. Uellsi është skuadër shumë e fortë.
Luajmë shumë mirë në pjesën mbrojtëse, por duhet të jemi më të shpejtë dhe më të saktë në kundërsulm. Në pjesën e parë bëmë mirë, por në pjesën e dytë vuajtëm pak. Kur skuadrat kundërshtare bëjnë presing dhe zhbalancohen duhet t’i godasim. Në pjesën e dytë duhet të jemi shumë të aftë në kundërsulm. Paraqitja mbetet pozitive.”