Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari në cilësinë e drejtuesve të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, kanë zhvilluar një bashkëbisedim me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë. Si pjesë e tryezës së marrëveshjes, Damian Gjiknuri informoi bashkë me Rudina Hajdarin ambasadorët e huaj rreth dialogut të filluar me opozitën jashtë parlamentit.
Bashkëkryetari i Komisionit dhe anëtar i tryezës së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri bën me dije se ambasadorët jo vetëm mbështetën dialogun e rinisur me opozitën, por edhe inkurajuan vazhdimin e tij deri në miratimin e Reformës Zgjedhore.
Statusi
Bashkë me Rudinën, në cilësinë e drejtuesve të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, zhvilluam një bashkëbisedim të frytshëm me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë. Në tryezën e organizuar nga OSBE, informuam ambasadorët mbi zhvillimet e deritanishme në kuadër të procesit të reformës dhe dialogun e nisur me përfshirjen e opozitës jashtë parlamentare. Ambasadorët mbështetën e inkurajuan vazhdimin e procesit të dialogut dhe përmbylljen sa më shpejt të reformës zgjedhore.