Refluksi gastroezofageal/shkaktarët, trajtimi te të vegjëlit dhe të rriturit

Refluksi, ose kthimi i ushqimit nga stomaku në ezofag e më pas në të vjedha, është një fenomen që shqetëson fëmijët dhe të rriturit.  Refluksi mund të ndodhi kur muskujt rrethues, që luajnë rolin e valvulës në hyrje të stomakut  (që quhen Sfinkteri i Poshtëm Cardio-Ezofagela), hapen dhe lejojnë përmbajtjet acide të stomakut të kthehen lart në ezofag. Refluksi gastro-ezofageal zakonisht fillon qysh në fëmijëri por vetëm një numër i vogël prej fëmijëve vazhdojnë të kenë refluks kur rriten. Shumica e fëmijëve dhe të rriturve kanë pak refluks zakonisht i cili nuk vihet re. Kur përmbajtjet e kthyera në ezofag rikthehen menjëherë në stomak ato nuk e dëmtojnë ezofagun. Por në disa raste këto përmbajtje acide qëndrojnë ne ezofag dhe fillojnë te dëmtojnë mukozën e tij. Kur përmbajtjet e stomakut të kthyera në ezofag kalojnë në gojë ose hyjnë në rrugët e frymëmarrjes, fëmijët dhe të rriturit fillojnë të kenë zë të ngjirur ose kolle kronike .

Shenjat që vijnë nga prania e refluksit:

a)pneumoni dhe bronkite të shpeshta

b)vështirësi në frymëmarrje

c)vështirësi ose dhimbje në gëlltitje

ç)të vjella

d)dhimbje fyti

dh)humbje në peshë

e)djegie kraharori (me e shprehur tek të rriturit)

ë)Ndjenja e lëmshit ose te halës në fyt

 

Si diagnostikohet refluksi  gastro-ezofageal?

Mjekët këshillojnë konsultë me mjekun gastroenterolog, i cili është i specializuar në trajtimin e sëmundjeve të traktit tretës. Ju duhet të përgjigjeni me imtësi për shenjat, për të përcaktuar më pas edhe shkallën e ekzaminimeve. Testet me te shpeshta për të diagnostikuar refluksin gastroezofageal janë:

1-Skopi me kontrast e stomakut

Me ane te rrezeve X mund te shihen dëmtimet dhe funksioni i sfinkterit të poshtëm cardio-ezofageal (SPCE), stomakut ose te zorrëve. Për të bërë këtë ekzaminim fillimisht pacienti do të duhet të pijë një lëng në ngjyre të bardhë, që quhet barium kontrast, i cili ndihmon në marrjen e imazheve nën rrezet X. (rontgen).  Doktori nuk mund të vendosë për diagnozën vetëm nëpërmjet skopisë me kontrast por kjo e fundit ndihmon në përjashtimin e problemeve të tjera serioze që japin të njëjtat probleme si refluksi.

2- Endoskopia (gastroskopia)

Përpara kësaj procedure pacientit i bëhet një gjumëdhënës venoz. Pastaj nëpërmjet një tubi të hollë fleksibël, i cili kalon nëpërmjet gojës, vazhdon në ezofag , hyn në stomak dhe në fillimin e zorrës së hollë, në duoden. Në majën e tij ai ka një kamer dhe një dritë. Gjithashtu në brendësi të tij ai ka një kanal ku mund të kalojnë mjete të tjera ndihmëse për mjekun gjatë ekzaminimit si p.sh.: forceps biopsie, lak për të nxjerr trupat e huaj etj. Me anë të këtij ekzaminimi doktori mund të vlerësojë imtësisht mukozën e ezofagut, stomakut dhe duodenit .Gjithashtu gjatë ekzaminimit doktori mund të marrë disa qeliza për ekzaminim të mëtejshëm, si p.sh biopsi.Duke ekzaminuar këto qeliza me mikroskop i vijnë në ndihme doktorit për të parë dëmtimet që ka shkaktuar kthimi i lëngjeve gastrike dhe të përjashtojë problemet serioze.

Lexo edhe :    Glaukoma ose “Vjedhësja e heshtur e shikimit”

3- Ph-metria ezofagut

Një tel i hollë me sensor acid në majë të tij futet nëpërmjet hundës deri në pjesën e poshtme të ezofagut. Ky tel tregon praninë dhe mat sasinë e lëngut acid të stomakut të kthyer ne ezofag. Gjithashtu tregon praninë e acidit në ezofag kur fëmija është duke qarë, kollitet apo kur përkulet nga mbrapa.

Ekzaminimi për neonatalët

Prindërit duhet të flasin me mjekun pediatër kur rritet numri i të vjellave ose vazhdojnë të vjellat e forta, kur ka të vjella me ngjyrë të verdhë ose jeshile (ose që kanë pamjen e llumit të kafesë ose gjakut) apo kur  ka vështirësi në frymëmarrje pas të vjellave. Gjithashtu nuk duhen neglizhuar rastet kur ka dhimbje që kane lidhje me ushqyerjen, vështirësi dhe dhimbje në gëlltitje apo refuzim të ushqimit që rezulton me humbje në peshë.

Cili është trajtimi i refluksit?

Trajtimi i refluksit është në varësi të shenjave që fëmijët dhe të rriturit kanë. Qëllimi kryesor i trajtimit medikamentoz i refluksit është ulje e aciditetit të lëngjeve të stomakut. Përveç medikamenteve e rëndësishme është të ndiqen dhe disa këshilla praktike si p.sh. tek fëmijët prindërit duhet të kenë parasysh që fëmija të ushqehet shpesh dhe sasi të pakta ushqimi, si dhe të shmanget ushqyerja te fëmijët 2-3 ore para gjumit. Eshtë me rëndësi edhe ngritje e kokës se krevatit disa centimetra më lart në mënyra që koka dhe qafa e fëmijës të jetë me lart se pjesa tjetër e trupit. Gjithashtu, këshillohet edhe shmangia e lëngjeve me gaz ,çokollatat si dhe lëngjet që përmbajnë shumë acid.

Ndërkohë, për të rriturit shihet me shumë rëndësi lënia e duhanit nëse e pijnë,  përdorimi i çamçakëzëve dhe i karameleve me mente, si dhe rënia në peshë nëse janë mbi peshë. E ngrëna shpesh dhe shmangia e rrobave të ngushta gjithashtu është me rëndësi.

Mjekët këshillojnë njëkoësisht edhe disa ushqime që duhen shmangur. Ushqimet e yndryshme dhe pikantet, fastfood-et, si dhe lëngu i disa agrumeve  këshillohen të shmangen. Kësaj liste që duhen shmangur i shtohet edhe kafeja dhe çaji.