Jashtë qendrave të votimit në Katalonja është krijuar një situatë e tensionuar, pak para referendumit të pavarësisë.
Katalonja kërkon prej vitesh shkëputjen nga Spanja, ndërsa Madridi e ka kundërshtuar këtë përpjekje.
Qeveria qendrore spanjolle e ka konsideruar si antikushtetuese referendumin që pritet të mbahet sot, ndërsa autoritetet rajonale të Katalonjas kanë organizuar të gjitha proçedurat.
Në rajon janë përqendruar mijëra foca sigurie, të cilat janë angazhuar për pengimin e mbajtjes së referendumit, ndërsa organizatorët e referendumit u kërkuan votuesve që të ngrihen dhe të mbrojnë qendrat e votimit, si dhe të presin që votimi të fillojë në orën 09:00.
Katalonja është një nga rajonet më të pasura, ku realizohet një e pesta e rendimentit ekonomik të të gjithë vendit.
Në rast se ajo fiton pavarësinë nga Spanja, sipërmarrësit parashikojnë probleme ekonomike për Spanjën dhe avantazhe ekonomike për Katalonjën, e cila do të shkëputej edhe nga Europa, duke humbur kështu një sërë avantazhesh dhe detyrimesh për një tregti pa ndërlikime me pjesën tjetër të Europës.
Ndërkohë, qeveria spanjolle mendon se ekonomia në Katalonjë mund të bjerë me 25 deri në 30 përqind dhe se papunësia do të dyfishohet.
Për t’u bërë sërish pjesë e BE-së, Katalonja duhet të nisë nga fillimi procesin e anëtarësimit.