Pas përfundimit të ndeshjes me Debrecenin, trajneri Ernest Gjoka ishte thuajse i bindur në atë që pritej të ndodhte me të ardhmen e tij. Ai deklaroi hapur se ishte me valixhe në dorë, por që gjithashtu pranoi se priste të bënte edhe një takim me presidentin Safet Gjici.
Trajneri 49-vjeçar nuk është nga ata që njihet për deklarata në nerva e sipër, apo reagime që mund ta nxjerrin nga vetja. Megjithatë, Gjoka ka marrë përgjegjësinë e tij, por ashtu siç edhe te suksesi meritë kanë të gjithë, e njëjta gjë është edhe për dështimet. Ai e ka pranuar në heshtje këtë vendim të presidentit Gjici, dhe mësohet se ka komunikuar me disa pjesëtarë të stafit dhe të ekipit. Natyrisht, ka qenë mjaft i mërzitur, më shumë për mënyrën dhe lënien përgjysmë të një projekti sesa për vetë largimin.
Vetë trajneri është pyetur dje nga gazeta për një koment lidhur me këtë shkarkim. Gjoka nuk pranoi të zgjatej në detaje, por për “Panorama Sport” dha një përgjigje domethënëse: “Intervistën time për punën që bëra te Kukësi në këta tre muaj, do t’ia lë ta bëjë vetë opinioni sportiv dhe të gjithë tifozët kuksianë. Unë s’kam gjë për të thënë tjetër, pas kësaj që ndodhi. Ju faleminderit!”/ panoramasport.al