E shtunë, 31 Korrik, 2021
31.5 C
Tirana

Ratko Mladiç: Burgimi përjetë, drejtësia e përafërt që morën viktimat e tij

Nga: Julian Borger “The Guardian”

Kur u konfirmua dënimi më burgim të përjetshëm i Ratko Mlladiç për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, duke shënuar kësisoj fundin e procesit gjyqëror për gjeneralin serbo- boshnjak 10 vjet pas arrestimit së tij, Munira Subasiç, ishte e pranishme në sallën e gjyqit në Hagë.

Në korrikun e vitit 1995, Subasiç ndodhej jashtë një kompleksi të OKB-së, një fabrikë baterish e braktisur pranë Srebrenicës, duke kërkuar mbrojtje nga paqeruajtësit holandezë, bashkë me mijëra myslimanë të tjerë të tmerruar të Bosnjës.

Por atyre nuk iu ofrua asnjë mbrojtje e tillë. Të braktisur nga udhëheqja e OKB dhe nën presionin e trupave serbe të Bosnjës në atë që supozohej të ishte një strehë e sigurt, holandezët u dorëzuan dhe e lejuan gjeneralin shtatshkurtër serbo-boshnjak që të merrte kontrollin e situatës.

Subasiç pa se si forcat serbe të Bosnjës sollën kamerat që e filmonin Mlladiç duke shpërndarë ëmbëlsira dhe bukë, duke e “ledhatuar” në kokë një djalë të vogël, dhe e duke siguruar turmën se ishte në duart të sigurta. Por kur kamerat u fikën, nisi kaosi, teksa burrat dhe djemtë filluan të ndaheshin nga gratë dhe nënat e tyre.

Djali 17-vjeçar i Subasiç, Nermini, u mor me forcë nga krahët e saj dhe u hip në një autobus. Vetëm disa nga eshtrat e tij u arritën të gjenden. Edhe bashkëshorti i saj, Hilmo, u mor po atë ditë nga trupat serbe. Eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv, por ato qëndruan të paidentifikuara në një morg për 8 vjet me radhë.

Munira e varrosi më në fund në vitin 2004. Mbi 8.000 burra dhe djem nga Srebrenica, u vranë në atë masakër. Dënimet ndaj Mlladiç për mbikëqyrjen e goditjeve me snajper dhe bombardimet ndaj civilëve në Sarajevë, spastrimin etnik të qyteteve të tjera, dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB, u mbështetën gjithashtu edhe nga Gjykata e Apelit në Hagë.

Munira është drejtuese e organizatës “Nënat për Srebrenicën”. Ajo loboi vazhdimisht pranë gjykatës së krimeve të luftës në Hagë, dhe i kërkoi prokurorit të çështjes që të gjurmonte vendndodhjen e Mlladiç por edhe të Radovan Karaxhiç, udhëheqësit civil të serbëve të Bosnjës, që gjithashtu është shpallur fajtor dhe është dënuar, dhe tani po vuan dënimin e tij në një burg britanik në Isle of Ëight.

Munira ka marrë pjesë në shumë gjyqe dhe apelime gjatë viteve të fundit, dhe çdo herë përmendja e krimeve të tmerrshme, i ka risjellë në kujtesë emocione të forta. “Në një farë mënyrë ky proces rizgjoi emocionet e mia, ndaj ndihem paksa e pafuqishme”- thotë ajo në një video-komunikim me mua përmes platformës “Zoom” nga një dhomë e pasme e ndërtesës së gjykatës në Hagë, vetëm disa minuta pas dhënies së vendimit.

Ajo thekson se nuk mund të ketë një drejtësi të plotë për nënën e një fëmije të vrarë, por një dënim i përjetshëm për krye-kasapin e Bosnjes është gjëja tjetër më e mirë që ka ndodhur. “Kjo fitore nuk është vetëm për ne, por për të gjitha nënat e Bosnje Hercegovinës qofshin ato serbe, boshnjake apo kroate. Çdo nënë vuan humbjet e saj”- shprehet ajo.

Lexo edhe :   Gjetja e personave të zhdukur në komunizëm/ VOA: E vështirë pas 30 vitesh

“Ky dënim është një mesazh për të gjithë njerëzimin, për Evropën, Ballkanin, për të gjithë. Leksioni duhet të jetë se nuk duhet të veprosh në mënyrë çnjerëzore, pasi do të ketë pasoja. Dhe kjo shërben për të rritur besimin ndëretnik, pasi është kjo është shumë e nevojshme në mënyrë që të ndodhë pajtimi. Dhe nipërve tanë u takon që të vazhdojnë jetën e tyre dhe të ndërtojnë vendin”- shton Subasiç.

Lexo edhe :   Gjetja e personave të zhdukur në komunizëm/ VOA: E vështirë pas 30 vitesh

Në realitet, Bosnja është e ndarë si kurrë më parë, nacionalizmi është i shfrenuar, dhe mohimi i asaj që ndodhi atje mbi një çerek shekulli më parë, është tashmë një normë midis serbëve të Bosnjës, shumë prej të cilëve e shohin ende Mlladiçin si një hero.

Asnjë nga dëshmitë tronditëse të depozituara ndër vite në Hagë, nuk ka qenë në gjendje të dëmtojë atë injorancë të qëllimshme. Fakti që Prisha Matimba Niambe, kryetare e trupit gjykues, nuk pranoi thuajse të gjitha vendimet e dhomave të apelit, duket se është e destinuar të shfrytëzohet si argument nga mohuesit e gjenocidit.

“E di që burrat mund të jenë në disa raste të vrazhdë. Por tani po shoh që edhe gratë mund të jenë të tilla”- tha Subasiç, duke komentuar rolin e Niambe. “Sot unë isha dëshmitare e fjalëve të një gruaje – nuk e di nëse ajo është nënë apo jo – e cila kishte kaq shumë mendime kundërshtuese, pavarësisht se e gjithë bota e di se çfarë ndodhi atje. Pyesja veten si ishte e mundur që një grua të tregonte atë mungesë ndjeshmërie”- thotë Munira.

U ulur në krah të Subasiç në seancës e të martsn ishte Serzh Bramerc, avokati belg që ka qenë kryeprokurori i gjykatës që nga viti 2008. Ishte ai që drejtoi operacionin për kapjen dhe ndjekjen penale të Mlladiç dhe Karaxhiç, pas shumë viteve në arrati.

Shumë njerëz e panë me dyshim këmbënguljen e tij. Por në fund 161 kriminelët e luftës në ish-Jugosllavi u arrit të nxirren para drejtësisë. “Është një kapitull i rëndësishëm që po mbaron. Kur e fillova këtu punë në vitin 2008, askush nuk ishte optimist se Mlladiç dhe Karaxhiç do të arrestoheshin, dhe lëre më pastaj të dënoheshin.

Jam i sigurt që kemi bërë shumë më shumë, sesa ajo që pritej. A mund të ishte bërë më mirë? Sigurisht, ka gjithmonë në mirë. Por unë personalisht jam plotësisht i bindur, se nëse nuk do të ishte krijuar Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, drejtësia në ish-Jugosllavi nuk do të ishte aty ku është sot”- thotë ai.

Burimi i lajmit: https://www.theguardian.com/world/2021/jun/08/ratko-mladic-life-in-prison-is-as-close-to-justice-as-his-victims-will-get

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Ndryshime klimatike, 22 gigaton akull shkrihen brenda një dite

Ndërsa ndryshimi i klimës po shkakton temperaturat e larta në të gjithë Arktikun, Groenlanda humbi një sasi të madhe akulli, shkrirja e të cilit...

Bashkia merr pronësinë e Teatrit/ Budina: Meta dhe Basha të mos heshtin

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ka protestuar ndaj vendimit të qeverisë për t’i kaluar truallin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Regjisori...

Lamtumirë doktor!

Nga Dritan Hila Ka kohë që diplomatët amerikanë kanë hequr dorashkat. Jo më larg se dje, ambasadorja e SHBA me një gjuhë cinike iu tha...

Shkelën rregullat kundër Covid, përjashtohen 2 sportistë nga Olimpiada në Tokio

Dy xhudistë të Gjeorgjisë janë përjashtuar nga Lojërat Olimpike Tokio 2020, pasi kanë dalë për shëtitje jashtë Fshatit Olimpik, ka raportuar agjencia japoneze e...

117 milionë euro, Manchester City pranë blerjes rekord

Manchester City është shumë afër goditjes së radhës në merkato. Sipas shtypit anglez, mungon shumë pak për arritjen e marrëveshjes për mesfushorin e Aston Villa-s,...