Një person në Belgjikë që ka qenë i infektuar me koronavirus, ia ka përcjellë virusin edhe maces së tij. Kjo mace dhe dy qen në Hong Kong janë të vetmet raste të njohura si të infektuara nga persona që janë me koronavirus.
Lajmi është dhënë nga Autoriteti Belg i Sigurisë Ushqimore (AFSCA). Deri më tani nuk ka pasur ndonjë provë që koronavirusi transmetohet nga njeriu te kafshët shtëpiake, dhe nga kafshët shtëpiake te kafshët e tjera.
AFSCA ka njoftuar se rreziku i transmetimit të virusit nga kafshët shtëpiake te njerëzit është i papërfillshëm, në krahasim me rrezikun e transmetimit përmes kontaktit të drejtpërdrejtë midis njerëzve.
“Rreziku i transmetimit të virusit nga kafshët shtëpiake te njerëzit është i papërfillshëm, në krahasim me rrezikun e transmetimit përmes kontaktit të drejtpërdrejtë midis njerëzve. Sidoqoftë këshillohet që edhe pasi të prekni kafshët tuaja shtëpiake, të lani duart. Nëse jeni i infektuar, i shmangni kontaktet me kafshët tuaja shtëpiake. Pasi t’i prekni, çdo herë lani duart me sapun dhe mos lejoni që macja ose qeni juaj t’u lëpijë fytyrën”.