Rast i rrallë në Singapor, nëna lindi foshnjen me antitrupa COVID

Që nga fillimi i pandemisë, shkencëtarët kanë studiuar nëse të gjithë të infektuarit me koronavirus prodhojnë antitrupa, përfshirë edhe ata me simptoma dhe ata që janë asimptomatikë.

Antitrupat mbeten në trup, pasi një person ka qenë i infektuar. Antitrupi është një lloj i proteinave që prodhohen në trupin e një personi, dhe që i mundësojnë sistemit imunitar të identifikojë dhe kundërveprojë ndaj objekteve të huaja, siç janë viruset.

Një rast i rrallë është shënuar në Singapor, ku një grua e cila është infektuar me koronavirus në mars, kur ishte shtatzënë, ka lindur fëmijë me antitrupa COVID.

Celine Ng-Chan tha për mediat se djali i saj lindi këtë muaj me antitrupa kundër virusit, dhe se mjeku i saj dyshoi se ajo i kishte transferuar te ai gjatë shtatzënisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ende nuk është vërtetuar nëse një grua shtatzënë me COVID-19, mund ta kalojë virusin te foshnja e saj.