Kryeministri Rama i është rikthyer Reformës Zgjedhore, ndërsa këmbënguli edhe një herë për rekomandimet e OSBE/ODIHR. Në fjalën e marrë në Kuvend, ai tha se problemi qëndron tek numëruesit dhe komisionerët. Opozita kërkonte identifikim biometrik në gjithë vendin, kurse mazhoranca kërkonte kohë ose shkallë shkallë.
Rama tha nga foltorja e Kuvendit se arsyeja kryesore e përplasjeve mes palëve politike në Shqipëri janë komisionet zgjedhore, ata që identifikojnë dhe numërojnë votat, të cilët janë të politizuar.
Kreu i qeverisë theksoi se depolitizimi i komisioneve ka qenë një ndër pikat kryesore që në raportin e parë të ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa shtoi se edhe sot në vitin 2020 ky mbetet një mision i pamundur.
“Ne thamë, nëse arrihet le të bëhet 100% dhe të hyjë identifikimi biometrik për aq sa arrihet dhe PD-ja ta gjejë një njeri vetë. Ta zgjedhë brenda, në një nga dhomat e SHQUP-it, ta vërë atje me votën tonë, tuajën e dini vetë”, tha ndër të tjera Rama.
“Tani që të kuptohet nga të gjithë. Rekomandimet e OSBE/ODIHR janë atje. Problemi qëndron tek numëruesit dhe komisionerët. Që kur unë e mbaj mend, në raportin e ODIHR, imagjinoni në Izrael, Hamasi dhe Fatahu kanë komisionerë mësuesë.
Ata aty s’vijnë si të partive, por si qytetarë. Edhe sot që flasim, kjo duket mision i pamundur. E kemi thënë që depolitizimi është i domosdoshëm.
Se ligji s’bëhet sot për nesër. Bëhet edhe për më vonë. Identifikimi, ne, duke patur parasysh edhe një nga konkluzionet e atij studimi që bëmë vetë nga kompanitë, se janë shumë pak kompani që e bëjnë, na i thanë të gjitha.
Nga momenti i firmosjes së kontratës deri në momentin e realizimit, duhet minimumi 6 muaj. Sot jemi shumë vonë, jemi qershor, e zemë se do të miratohet në fund të qershorit. Duhet miratuar struktura e KQZ-së së re, do korrikun në rastin më të mirë.
Ja, iu duhen 40 ditë, që është shumë pak për të përgatitur të gjithë studimin dhe termat e referencës. Në fund të shtatorit e hedhim në garën ndërkombëtare, tetor-nëntor, tenderi. Një muaj tjetër ankimet.
Në janar kontratat. Në shkurt fillon puna. Prill-maj bëhen zgjedhjet. Ne thamë, nëse arrihet le të bëhet 100% dhe të hyjë identifikimi biometrik për aq sa arrihet dhe PD-ja ta gjejë një njeri vetë.
Ta zgjedhë brenda, në një nga dhomat e SHQUP-it, ta vërë atje me votën tonë, tuajën e dini vetë. Ta vëjë atje zv.kryetar të KQZ, me mandat ekskluziv për KQZ.
Që të mos thonë pastaj, jo tenderi kshu, jo Edi Rama kshu, jo Ogerta andej, e jo ndrikulla e qafiri. Po arritën, ne jemi ok. Me një ekspert ndërkombëtar dhe ne s’kemi punë. S’duam të hyjmë në asnjë mënyrë në këtë proces. E bënë? Ka certifikim ndërkombëtar? Jemi ok. Ta bëjnë vetë ata”.